Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
16 qershor 2025
Në konfliktin ushtarak midis Izraelit dhe Iranit, asnjëra palë nuk duket e gatshme të ndërpresë spiralen e dhunës. Kancelari gjerman jep një mesazh të qartë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dënuar ashpër sulmet e Iranit ndaj objektivave civile në Izrael, duke i kërkuar Teheranit që t’i ndërpresë menjëherë veprimet ushtarake. Nga Berlini, përpara nisjes për në samitin e G7-ës në Kanada, Merz theksoi se Gjermania mbetet e vendosur në qëndrimin se Irani nuk duhet të zhvillojë apo të posedojë armë bërthamore, pasi “do të përbënte një kërcënim serioz për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe sigurinë globale”.
Merz nënvizoi të drejtën e Izraelit për të mbrojtur ekzistencën dhe sigurinë e qytetarëve të tij dhe theksoi se kjo çështje do të ketë prioritet të lartë në diskutimet e samitit të G7-ës. Ai paralajmëroi se konflikti nuk duhet të përhapet më tej në rajon dhe u bëri thirrje shteteve të tjera të qëndrojnë jashtë përshkallëzimit: “Rajoni nuk duhet të kthehet në një shesh beteje të hapur”.
Gjermania, tha Merz, është duke ndërmarrë masa parandaluese në rast se Irani ndërmerr sulme ndaj objektivave izraelite ose hebraike brenda territorit të saj. Në përpjekje për të ulur tensionet, kancelari bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sulltanin e Omanit, duke e falënderuar për rolin ndërmjetësues në zbutjen e krizës dhe frenimin e programit bërthamor të Iranit.
Në një tjetër zhvillim, presidenti izraelit Yitzhak Herzog deklaroi se lufta kundër Iranit dhe ambicieve të tij bërthamore nuk është thjesht për mbrojtjen e Izraelit, por për “ndryshimin e realitetit në Lindjen e Mesme”. Gjatë një vizite në qytetin Bat Yam, ku raketat iraniane shkaktuan viktima, ai e cilësoi Iranin si “Perandoria e së Keqes” dhe u bëri thirrje vendeve të G7-ës që të qëndrojnë pranë Izraelit në këtë përballje.
Nga i njëjti qytet, kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi hakmarrje të ashpër: “Irani do të paguajë një çmim të lartë për vrasjen e civilëve, grave dhe fëmijëve”, tha ai, duke ngritur shqetësimin se nëse Irani do të posedonte armë bërthamore, pasojat do të ishin katastrofike.
Që prej natës së premtes, Izraeli ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore iraniane. Irani është përgjigjur me kundërsulme, duke e përshkallëzuar situatën. Raportet e fundit flasin për të paktën 138 viktima në Iran, përfshirë figura të larta ushtarake dhe shkencëtarë të programit bërthamor, si dhe për qindra të plagosur.
Në Izrael, sulmet iraniane kanë shkaktuar të paktën 13 viktima dhe rreth 400 të plagosur. Radioja shtetërore iraniane raportoi shpërthime pranë Aeroportit Mehrabad dhe në veri të Teheranit. Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se ka goditur mbi 80 objektiva në kryeqytetin iranian gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës.
Alarmet për sulme ajrore u riaktivizuan të dielën në Tel Aviv, Jerusalem dhe qytete të tjera izraelite. Për arsye sigurie, hapësira ajrore izraelite mbetet e mbyllur dhe operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion janë pezulluar.