Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
12 prill 2025
Zbardhet konflikti i dhunshëm që ndodhi ditën e djeshme në Lezhë, ku një person përfundoi në spital. Mësohet se në ngjarje janë përfshirë 6 persona, mes tyre dhe minorenë. Policia ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim 4 të tjerë.
Sipas policisë, “viktima” është dhunuar dhe është goditur me makinë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur, mesditën e datës 11.04.2025, në qytetin e Lezhës.
Fillimisht u raportua për një përplasje fizike mes dy shtetasve, por pas hetimeve të thelluara, kqyrjes së pamjeve filmike dhe grumbullimit të provave, veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i të gjithë personave të përfshirë në një konflikt për motive të dobëta.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, të dy banues në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë:
* Fatjon Gjini, 34 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
* Ervin Nika , 37 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Si dhe u shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja qetësisë publike”, shtetasit: R. M., 20 vjeç, banues në Tale, K. N., 20 vjeç, A. D., 15 vjeç dhe A.M., 17 vjeç.
Më datë 11.04.2025, në orën 12:02, në qytetin e Lezhës, shtetasit Fatjon Gjini, dhe Ervin Nika kanë goditur me mjete të forta shtetasin R. M., ku më pas shtetasi R. M., bashkë me tre shokët e tij, (të 4 të shpallur në kërkim) kanë goditur me automjet shtetasin Fatjon Gjini dhe më pas e kanë goditur me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Policia e Lezhës vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.