Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 dhjetor 2025
Kolegji i Europës operon në tre kampuse – Bruksel, Poloni dhe Tiranë – dhe i vetmi kampus jashtë BE-së, ai i Tiranës, ndodhet në godinën “Liria” të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që në qendër të vëmendjes qëndron përballja e rektores Federica Mogherini me drejtësinë, pas hetimeve të Prokurorisë Publike Evropiane për dyshime mbi konkurrencë të pandershme në një tender për një program 9-mujor trajnimi për diplomatët e rinj, lind pyetja: A ndikon ky hetim te kampusi i Tiranës?
Mësohet se në Tiranë zhvillohet aktualisht vetëm programi pasuniversitar “Masteri për Transformimin dhe Integrimin Europian”, ku marrin pjesë 40 studentë nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Për shkak të sezonit të provimeve, studentët nuk janë të pranishëm në godinë, ndërsa stafi ka zhvilluar një mbledhje të brendshme lidhur me zhvillimet e fundit, por ka preferuar të mos komentojë.
Kolegji i Europës deklaron se më 2 dhjetor është njoftuar për hapjen e hetimeve nga Prokuroria Publike Evropiane dhe për kontrollet e kryera në kampusin e Bryzhit. Institucioni shprehet i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet dhe thekson se po merr masa që procesi akademik të mos cenohet.
Në reagimin zyrtar thuhet: “Kolegji i Europës do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet, në interes të transparencës dhe respektimit të procesit hetimor. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj integritetit, drejtësisë dhe pajtueshmërisë, si në çështjet akademike ashtu edhe ato administrative. Aktivitetet akademike do të vijojnë normalisht. Nuk kemi koment të mëtejshëm në këtë fazë.”
Aktualisht, Kolegji i Europës numëron rreth 500 studentë pasuniversitarë në tre kampuset e tij: 350 në Bryzh, 120 në Natolin të Polonisë dhe 40 në Tiranë, kampus që iu shtua institucionit në vitin 2024.

















