Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 dhjetor 2025
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot emërimin e Jon Ketës si drejtues të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes.
Kush është Jon Keta?
37-vjeçari Jon Keta ka një karrierë 15-vjeçare në sistemin e drejtësisë, fillimisht si oficer i policisë gjyqësore pranë ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda, e më pas si hetues i BKH-së dhe zv.drejtor i komanduar gjatë dy muajve të fundit. Ai njihet për rezultatet në hetimet financiare dhe çështjet ndaj krimit të organizuar.
Emri i tij u miratua fillimisht nga komisioni i përzgjedhjes, i përbërë nga prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, dhe më pas iu paraqit KLP-së, organi përgjegjës për emërimin e drejtorit të BKH.
Procesi i gjatë i përzgjedhjes ngushtoi garën në vetëm disa kandidatë, pasi komisioni i verifikimit të pasurisë dhe figurës skualifikoi shumicën e pretenduesve. Në fund, kandidatura e Ketës arriti të unifikojë qëndrimet brenda komisionit, duke u konsideruar si një zgjedhje që mund të përmirësojë marrëdhëniet mes BKH dhe SPAK—marrëdhënie që në të kaluarën janë përshkruar si të tensionuara.
Mandati i ish-drejtoreshës Aida Hajnaj u shoqërua nga pakënaqësi të brendshme dhe mungesë komunikimi me SPAK, çka ka rritur pritshmëritë që drejtimi i ri të sjellë stabilitet dhe bashkëpunim më të fortë ndërinstitucional.
Procesi për drejtimin e SPAK
Paralelisht me zgjedhjen e kreut të BKH-së, KLP ka njoftuar se më 11 dhjetor do të zhvillohen dëgjesat me katër kandidatët që garojnë për drejtimin e SPAK: Doloresa Musabelliu, Adnan Xholi, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj.
Mandati trevjeçar i kryeprokurorit aktual, Altin Dumani, përfundon më 18 dhjetor, dhe KLP pritet të zgjedhë pasardhësin e tij brenda afateve ligjore.

















