Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 mars 2025
Kina ka reaguar ashpër ndaj premtimit të Presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa të tjera, duke paralajmëruar se Pekini është i gatshëm për një luftë tarifore ose “çdo lloj lufte tjetër”.
Ky reagim erdhi pas vendosjes së taksave të reja prej 25% për importet nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe për mallrat kineze. Trump, në fjalimin e tij të martën në mbrëmje, tha se do të vendosë tarifa të tjera më 2 prill, përfshirë tarifa reciproke dhe masa të tjera që synojnë balancimin e pasqyrës tregtare që ka zgjatur për shumë vite.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës e kundërshtoi ashpër këtë vendim dhe tha se “nëse SHBA kërkon luftë, qoftë luftë tarifore, luftë tregtare ose çdo lloj lufte tjetër, ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund”. Ambasadori kinez në SHBA gjithashtu e përsëriti këtë kërcënim. Kina e ka cilësuar krizën e fentanilit një “justifikim të dobët” për rritjen e tarifave dhe e ka akuzuar administratën Trump për “shantazh” dhe përpjekje për të përdorur kërcënime dhe presion ndaj Kinës./ A2 CNN

















