Kina drejt heqjes së sanksioneve në përpjekje për t’i përmirësuar raportet me BE-në

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

25 prill 2025

Kina dhe Parlamenti Evropian (PE) janë në “fazën finale” të diskutimeve lidhur me largimin e sanksioneve ndaj ligjvënësve të tij, si pjesë e një lëvizjeje për t’i hapur derën përmirësimit të raporteve mes Pekinit dhe bllokut.

“Diskutimet me autoritetet kineze po vazhdojnë dhe janë në fazën finale”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i PE-së.

Presidentja e PE-së, Roberta Metsola “fillimisht do të informojë udhëheqësit e grupeve kur autoritetet kineze zyrtarisht do të konfirmojnë se sanksionet janë hequr”, shtoi zëdhënësi. “Gjithmonë ka qenë qëllimi i PE-së që sanksionet të hiqen dhe të rinisin raportet me Kinën”.

Diskutimet për heqjen e sanksioneve vijnë teksa Pekini po tenton të bëjë përparim në mes të një lufte tregtare me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Përballë një tarife prej 145 për qind të vendosur nga SHBA-ja, shtet që është tregu më i madh për eksportet e Kinës, Pekini tani po kërkon të përmirësojë raportet me Bashkimin Evropian pasi për vite të tëra kishte raporte të tensionuara me bllokun prej 27 shtetesh.

Pekini vendosi sanksionet në vitin 2021 kundër disa anëtarëve të Parlamentit Evropian, pasi Brukseli kishte përdorur masat e tij kundër zyrtarëve kinezë dhe entiteteve për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut të ujgurëve dhe minoriteteve të tjera myslimane, sikurse kazakët etnikë dhe kirgizët, në provincën Shinxhang të Kinës.

Në përgjigje, PE-ja më pas ngriu ratifikimin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Investimeve BE-Kinë, që synonte thellimin e raporteve tregtare mes dy tregjeve masive.

Një marrëveshje drejt heqjes së sanksioneve, që fillimisht u raportua nga e përditshmja gjermane Suddeutsche Zeitung, rriti spekulimet se Kina dhe BE-ja po lëvizin drejt normalizimit të raporteve, teksa të dyja palët po përballen me presion nga administrata Trump.

BE-ja dhe Kina po ashtu pritet të mbajnë një samit në Pekin në muajin korrik.

Një zyrtar i BE-së, që foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se “është e vërtetë që ne po punojnë në heqjen e sanksioneve”.

Megjithatë, zyrtari tha se kjo lëvizje “absolutisht nuk ka të bëjë me arritjen e ndonjë marrëveshjeje tregtare” dhe se marrëveshja paraprake tregtare me Pekinin është përballur me pengesa më 2021, para se Kina të sanksiononte eurodeputetët dhe “kjo është edhe më e vërtetë sot”.

Zyrtari i BE-së shtoi se bisedimet me Pekinin janë duke u zhvilluar që disa muaj dhe kanë nisur para tarifave të vendosura nga Trumpi, që përfshijnë edhe tarifa prej 20 për qind ndaj BE-së – edhe pse tarifat amerikane aktualisht janë të pezulluara për 90 ditë, në mënyrë që të mund të negociohen marrëveshje tregtare.

Scroll to Top