Këshilli Kombëtar Shqiptar, Bujanoc, mirëpriti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 qershor 2025

Këshilli Kombëtar Shqiptar pati sot kënaqësinë të presë në ambientet e tij Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, z. Edward Ferguson, gjatë vizitës së tij zyrtare në Luginën e Preshevës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Këshillit e njoftuan Ambasadorin Ferguson me situatën aktuale të shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke u ndalur në sfidat kyçe me të cilat përballet kjo pjesë e popullsisë. Në fokus të diskutimit ishin çështje të ndjeshme si:

  • Pasivizimi i adresave dhe ndikimi i tij në të drejtat qytetare,
  • Diskriminimi në punësim në institucionet publike,
  • Mungesa e përfaqësimit adekuat në nivelet republikane,
  • Problemet në sistemin arsimor, përfshirë mungesën e teksteve mësimore për shkollat e mesme,
  • Mospërfillja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në tri komunat shqiptare,
  • Si dhe moslejimi i përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, për të cilin u theksua nevoja që Serbia të ndjekë shembujt pozitivë të shteteve fqinje, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte zbatimi i Planit 7Pikësh, i nënshkruar nga vetë Qeveria në Beograd, si një mekanizëm për përparimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve. Këshilli vuri theksin edhe te domosdoshmëria për zbatimin e Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet publike për periudhën 2023–2026, i hartuar dhe mbështetur nga ministritë përkatëse të qeverisë qendrore.

Në përfundim, u vlerësua lart angazhimi dhe interesimi i Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimet në Luginën e Preshevës. U nënvizua gjithashtu rëndësia e mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar, e cila shihet si një shpresë kyçe për avancimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në këtë rajon.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ritheksoi angazhimin e tij për të qenë një adresë e hapur për dialog dhe përfaqësim dinjitoz të interesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Scroll to Top