Këshilli Bashkiak i Tiranës i kërkon SPAK-ut lejimin e pjesëmarrjes së Erion Veliajt në konsultimet për buxhetin 2026

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 dhjetor 2025

Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me kërkesën për të lejuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, që të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2026.

Sipas kërkesës, pjesëmarrja e kryebashkiakut në këtë proces është një detyrim ligjor, i parashikuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore dhe financat e qeverisjes vendore. Anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e Veliajt është e domosdoshme për të garantuar bashkëpunimin institucional me këshillin në çështje që lidhen drejtpërdrejt me interesin publik dhe transparencën ndaj qytetarëve.

Në dokument citohet Ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, sipas të cilit kryetari i bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit dhe detyrim për bashkëpunim institucional, si dhe Ligji nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, i cili përcakton se përgatitja dhe paraqitja e projektbuxhetit është përgjegjësi e kryetarit të njësisë vendore.

Këshilli Bashkiak kërkon që, në rast se ndaj Veliajt janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm i pjesëmarrjes fizike të tij në një nga datat 16–18 dhjetor 2025, duke garantuar respektimin e çdo protokolli sigurie apo kërkese logjistike nga institucionet përkatëse.

Në fund të kërkesës, Këshilli Bashkiak shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të plotë dhe kërkon njoftim zyrtar mbi vendimmarrjen e institucioneve, duke theksuar rëndësinë e funksionimit normal të institucioneve vendore dhe respektimit të rolit të kryetarit të bashkisë në proceset buxhetore.

Scroll to Top