Katastrofë energjitike në Ukrainë; Rutte ngre alarmin për sulmet e vazhdueshme

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

27 janar 2026

Rusia godet Kharkivin, 80% e qytetit mbetet pa energji

Dronë dhe raketa ruse goditën të hënën, 26 janar, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 80% të qytetit dhe zonat përreth. Si pasojë e sulmit, dy persona mbetën të plagosur.

Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, tha se u godit një objekt energjetik, ndërkohë që temperaturat gjatë natës ranë deri në –14 gradë Celsius, duke vështirësuar edhe më tej situatën për banorët.

Kharkivi është goditur më parë me sulme të mëdha ajrore që nga fillimi i vitit, duke lënë pa energji dhe ngrohje qindra ndërtesa. Korrespondentja e luftës dhe drejtoresha ekzekutive e njësisë për krime lufte “The Reckoning Project”, Janine di Giovanni, tha se presidenti rus Vladimir Putin po përdor dimrin ekstrem si mjet presioni ndaj Ukrainës.

NATO paralajmëron për dimrin më të ashpër në dekadë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Ukraina po përballet me “dimrin më të ashpër” në më shumë se një dekadë. Gjatë fjalimit në Parlamentin Europian, ai kërkoi që ligjvënësit të tregojnë fleksibilitet në përdorimin e fondeve të BE-së dhe përshëndeti vendimin e Francës për të sekuestruar një cisternë të dyshuar se është përdorur nga Rusia për financimin e luftës.

Rutte konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën, duke përmendur edhe dërgesat e pajisjeve ushtarake amerikane. Ai shtoi se Ukraina dëshiron t’i bashkohet NATO-s, por disa shtete anëtare mbeten kundër, ndaj “politikisht, për momentin kjo nuk është e realizueshme”.

Sekretari i NATO-s theksoi se bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-të duhet të synojnë arritjen e një marrëveshjeje paqeje ose të paktën një armëpushimi afatgjatë, duke shtuar se “siguria e Ukrainës është edhe siguria jonë”.

Tensionet për garancitë e sigurisë dhe Donbasin

Duke komentuar deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për afrimin e garancive të sigurisë nga SHBA-të, Rutte theksoi se çështja e territorit me Rusinë mbetet shumë e ndjeshme dhe se vetëm Ukraina mund të vendosë për kompromiset e mundshme.

Sipas një raportimi të Financial Times, administrata Trump ka sinjalizuar se garancitë e sigurisë mund të varen nga pranimi i një marrëveshjeje që do të kërkonte dorëzimin e rajonit të Donbasit. Po ashtu, SHBA-të mund të ofrojnë më shumë armë në kohë paqeje nëse Ukraina tërheq forcat nga zonat e Donbasit që aktualisht kontrollon.

Sulm mbi Kyiv Pechersk Lavra, dëme të shumta në kompleksin historik

Në një sulm të ndodhur natën e së shtunës, 24 janar, dronë dhe raketa ruse dëmtuan pjesë të kompleksit fetar Kyiv Pechersk Lavra. Dëmet në këtë vend të rëndësishëm janë të shumta.

Ky kompleks, i themeluar në shekullin XI, konsiderohet qendra shpirtërore e ortodoksëve ukrainas dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ai përfshin mbi 100 ndërtesa dhe një rrjet shpellash nëntokësore ku jetojnë dhe luten murgjit.

Rusia pretendojnë për fitore territoriale në janar

Nga ana tjetër, shefi i shtabit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, deklaroi se forcat ruse kanë marrë kontrollin e 17 vendbanimeve dhe mbi 500 km² territor në Ukrainë vetëm gjatë muajit janar.

Scroll to Top