Kapet truri i trafikut të drogës! Vilson Pepa, pjesë e klanit Çopja, ekstradohet nga Parajsa e Karibëve – 11 ton kokainë në lojë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

07 shtator 2025

Është ekstraduar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Republika Dominikane, Vilson Pepa, i njohur edhe me emrin Soni, i arrestuar mbrëmjen e 3 shtatorit pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Pepa është pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, grup i cili u godit nga SPAK në fillim të gushtit.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”-njofton policia.

Pepa u prangos në Santo Domingo nën masa të rrepta sigurie i prangosur në duar dhe këmbë dhe mbante veshur një helmetë dhe jelek antiplumb. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçarit iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane si dhe pesë telefona celularë të koduar dhe para në dorë.

Sipas policisë dominikane, 40-vjeçari i njohur edhe si Soni Pepa rezulton i përfshirë me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjerë në të njëjtin qytet.

Scroll to Top