Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta
02 tetor 2025
Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka ngritur shqetësime serioze për fatin e qindra ushtarëve shqiptarë që humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), duke kërkuar që autoritetet serbe të hapin arkivat dhe të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Kandiq theksoi se Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, si pjesë e hulumtimeve për humbjet njerëzore gjatë luftës në Kosovë, ka mbledhur të dhëna për shqiptarët që shërbyen në APJ, por ato janë të paplota.
“Të dhënat tregojnë për rrethana të çuditshme, se në kazermat në Serbi ka pasur vetëvrasje të dyshuara,” tha Kandiq, duke shtuar se në të paktën tri raste familjet shqiptare kanë marrë njoftime për vetëvrasje, por nuk e kanë besuar versionin zyrtar.
Sipas saj, nëse themelohet një komision për hetimin e këtyre vdekjeve, ai duhet të bazohet në dokumente të disponueshme dhe më pas shteti serb duhet të sigurojë qasje në arkiva për të zbardhur të vërtetën.
“Do të ishte e dobishme që ndonjë institucion në Kosovë të grumbullojë të gjitha të dhënat ekzistuese nga burime të ndryshme. Vetëm kështu mund të kërkohet më pas përgjegjësi nga autoritetet shtetërore,” deklaroi Kandiq.
Kandiq rikujtoi edhe rastin e bujshëm të vitit 1987, kur ushtari shqiptar Aziz Kelmendi nga Kosova vrau katër ushtarë në kazermën e Paraqinit dhe më pas, sipas autoriteteve, u vetëvra.
Ajo thotë se pas këtij incidenti, Beogradi filloi të toleronte heshturazi shmangien e shërbimit ushtarak nga shqiptarët.
Komentet e Kandiqit vijnë në kohën kur autoritetet serbe po shqyrtojnë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, gjë që ka ngjallur frikë të re tek komuniteti shqiptar në jug të Serbisë.
Hija e arkivoleve, frika e shqiptarëve nga rikthimi i shërbimit ushtarak në Serbi.
Familjet shqiptare në jug të Serbisë ndiejnë një valë të re shqetësimi: rikthimi i mundshëm i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi po u kthen frikën e viteve ’80 dhe ’90.
Kur dëgjon fjalën “ushtri”, Sadik Sadiku nga Rahovica e Preshevës, në jug të Serbisë, nuk mendon për mbrojtje, por për arkivole të mbyllura hermetikisht, që sollën dhimbje në familjen e tij.
Dyzet e tre vjet më parë, nipi i tij, Yzeiri, u kthye i vdekur nga shërbimi ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ). Trupi i tij mbërriti në shtëpi në një arkivol të mbyllur – pa mundësinë që familja ta hapte dhe ta shihte.
Autoritetet ushtarake të kohës e përshkruan rastin si “vetëvrasje”, duke thënë se i riu ishte hedhur nga një objekt i lartë. Por, familja nuk e pranoi kurrë këtë version. Rrethanat ngritën dyshime tek ajo për maltretim apo edhe vrasje.
Sot, paralajmërimet e autoriteteve serbe për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak i kanë rikthyer Sadikut frikën e vjetër.
“I kam tre nipa, të cilët janë të pjekur për ushtarë, por unë nuk i lëshoj”, thotë 82-vjeçari.
Rikthimi i shërbimit ushtarak dhe shqetësimi i komunitetit shqiptar
Javë më parë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, deklaroi se vendi nuk ka hequr dorë nga rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq më 2011.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në shtator të vitit të kaluar se ka miratuar rikthimin e këtij shërbimi, i cili do të zgjaste 75 ditë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, deklaroi më 19 shtator se gjenerata e parë mund të fillojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fillim të vitit të ardhshëm. Ai tha se pret që gjatë seancës së vjeshtës në Kuvend, të shqyrtohet një paketë e re ligjesh për ushtrinë.
Sipas njoftimeve të tij të mëparshme, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të vlejë për burrat nga 18 deri në 30 vjeç. Ai, gjithashtu, ka thënë se ata që refuzojnë të shërbejnë me armë për arsye të ndërgjegjes, do të përfshihen në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Ushtrinë e Serbisë, ku do t’u gjenden vende të përshtatshme për të kryer shërbimin ushtarak pa armë.
Kjo ka shqetësuar komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, pasi kujtimet e viteve ‘80 – kur në Jugosllavi u thelluan përçarjet etnike dhe u rrit presioni i Beogradit mbi shqiptarët – janë ende të gjalla.
“Nëse më vjen një ftesë e tillë, natyrisht që, si të gjithë të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës, do të jem i shqetësuar, për shkak të rasteve që kanë ndodhur më parë. Si i ri, kam frikë se mos përsëritet ajo histori e errët që u ndodhi ushtarëve shqiptarë në Ushtrinë jugosllave”, thotë Valoni nga Presheva.
Valoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – mbush këtë vit 18 vjet. Ai thotë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak tashmë është bërë temë diskutimi mes shumë të rinjve në Luginën e Preshevës

















