Kanceri i qafës së mitrës, nga 1 shtatori nis vizita falas për gratë e moshës 40–50 vjeç

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

02 shtator 2025

Të gjitha gratë e grupmoshës 40–50 vjeç nga data 1 shtator mund të vetofrohen për t’u kontrolluar ndaj kancerit të qafës së mitrës.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) tha se kjo grupmoshë mund të kontaktojë mjekun e familjes për t’u bërë pjesë programit kombëtar depistues duke tërhequr testet.

Që nga data 1 shtator, gratë të cilat i përkasin datëlindjes 1975 deri në vitin 1985 të paraqiten pranë mjekut të familjes për të marrë pjesë në këtë depistim,” tregon Kozeta Filipi, kërkuese në ISHP.

Testi zbulues ndaj infektimit nga virusi Human Papiloma është me vetëmarrje nga gratë dhe mund të kryhet në kushte shtëpie apo qendër shëndetësore sipas udhëzimeve.

Testi është i pajisur edhe me një set informacioni, si përshkrues, edhe grafik. Gruaja do të jetë e aftë ta marrë këtë test në kushte personale, private, pranë qendrës shëndetësore ose në banesën e saj,” thotë znj. Filipi.

Ky program arrin të testojë çdo vit rreth 10 mijë gra në të gjithë vendin dhe statistikat në këto 7 vite të shtrirjes së tij kanë treguar se çdo vit 7% e tyre rezultojnë të infektuara me këtë virus.

Gratë të cilat zbulohen pozitive nga ky program nuk është se kanë të gjitha kancer të qafës së mitrës, por është një alert që duhet ta bëjë këtë grua të bëjë një ndjekje të mëtejshme në sistemin shëndetësor publik për një zbulim sa më të hershëm të kancerit të qafës së mitrës,” thekson studiuesja pranë ISHP-së.

Identifikimi kombëtar ka treguar se gratë në zonat rurale janë më të gatshme për t’u bërë pjesë e kontrollit, ndërsa sëmundshmëria është parë më e lartë të gratë në zonat urbane.

Scroll to Top