Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
28 janar 2026
Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila synon të adresojë shkeljet e të drejtave etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të kërkojë përgjegjësi nga Serbia për diskriminimin sistematik ndaj kësaj pakice.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës. Sipas tij, miratimi i rezolutës në komitet përfaqëson një momentum të ri në politikën e jashtme të SHBA-së ndaj Ballkanit.
“Pavarësisht se kjo është faza e parë ligjore që ka kaluar në komitet, fakti që rezoluta është votuar nga kongresistë të të dy partive dhe ka kaluar pa asnjë votë kundër na jep shpresë se procedura do të përfundojë plotësisht dhe se mund të bëhet një akt i detyrueshëm”, deklaroi Kamberi.
Ai shtoi se vendimi do të ndikojë që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të trajtohet më seriozisht dhe të rikthehet në agjendën politike të Shteteve të Bashkuara, duke përbërë një sinjal pozitiv për të ardhmen.
Kamberi theksoi gjithashtu rëndësinë e dokumentimit të shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve:
“Kjo nënkupton një punë të madhe dokumentimi të të gjitha shkeljeve, të cilat ne tashmë i kemi adresuar në Kongres, në Senat dhe në Departamentin e Shtetit.”
Sipas tij, që nga përfundimi i konfliktit të UÇPMB-së, miratimi i kësaj rezolute është hapi i dytë më i rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe përbën një akt shprese për të ardhmen.

















