Juventus në provën e akullit ndaj Bodo/Glimt: Fitorja rikthen torinezët në garë për playoff

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

25 nentor 2025

Juventusi përballet këtë të martë me një sfidë vendimtare në Norvegji kundër Bodo/Glimt, një ndeshje që pritet të jetë përcaktuese për të ardhmen e bardhezinjve në Champions League. Me vetëm 3 pikë në 4 ndeshjet e para, skuadra e Massimiliano Allegrit nuk ka më hapësirë për gabime.

Një fitore në Bodo do ta rikthente Juventusin në lojë për një vend në zonën e playoff-it, ndërsa barazimi ose humbja do ta vendoste ekipin turinez në një pozitë shumë të vështirë. Në këtë rast, torinezët do të detyroheshin të kërkonin rezultate perfekte ndaj Pafos, Benficës dhe Monacos për të mos humbur shansin e kualifikimit.

Deri tani, Juventus ka regjistruar tre barazime – 4-4 me Dortmundin, 2-2 me Villarrealin, 1-1 me Sportingun – dhe një humbje 1-0 ndaj Real Madridit. Me gjysmën e fazës së ligës të përfunduar, torinezët kanë nevojë urgjente për pikë.

Sezoni i kaluar tregoi se 12 pikë ishin të mjaftueshme për të siguruar playoff-in, përfshirë edhe vetë Juventusin, ndërsa 11 pikë sollën eliminime të dhimbshme si ai i Dinamos së Zagrebit, që u penalizua për shkak të golavarazhit pavarësisht pikëve të barabarta me Brugge, Sporting dhe Manchester City.

Këtë sezon, për të qenë të sigurt, bardhezinjtë duhet të synojnë të paktën 9 pikë nga 360 minutat e fundit të mbetura. Një fitore ndaj Bodo/Glimt dhe më pas ndaj Pafos më 10 dhjetor në Torino do t’i çonte në kuotën e 9 pikëve, duke u lënë mundësinë të sigurojnë playoff-in me një triumf ndaj Benficës ose Monacos.

Nëse torinezët marrin vetëm një barazim në Norvegji, atëherë detyrohen të fitojnë dy ndeshje dhe të barazojnë një tjetër për të arritur në 11 pikë dhe për të shpresuar në llogaritë e fundit. Ndërsa, në skenarin e vetëm dy barazimeve në vazhdim, tre fitoret e fundit do të ishin të domosdoshme për të mbërritur në 13 pikë dhe për të shmangur çdo kombinim.

Për Juventusin, sfida e së martës nuk është teknikisht eliminatore, por praktikisht ka peshën e një të tillë. Në kushtet e të ftohtit nordik dhe kundër një kundërshtari të fortë në shtëpi, bardhezinjtë përballen me testin më të rëndësishëm të sezonit deri tani.

Scroll to Top