Janjiq: Radoiçiqi dhe grupi i Banjskës u stërvitën nga ushtria serbe, Vuçiqi i përfshirë në këtë sulm terrorist

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 shtator 2025

Milan Radoiçiq, personi i identifikuar e i cili më pas edhe vetë e ka pranuar se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, nuk është një figurë e zakonshme e krimit, por një aktor me ndikim të thellë politik, ushtarak dhe ndërkombëtar. Kështu deklaron Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, në një intervistë për televizionin Nova në Serbi.

“Radoiçiqi është më i fortë se regjimi. Biografia dhe imazhi që është krijuar për të në opinionin publik nuk është pamja e plotë. Ai është shumë më me ndikim, shumë më mirë i stërvitur ushtarakisht, sesa tregoi në Banjskë”, u shpreh Janjiqi, duke theksuar se vendosja e tij vetëm në kuadrin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është naive.

Ai shtoi se Radoiçiq ka pasur lidhje edhe me struktura ndërkombëtare dhe është tashmë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Sipas Janjiqit, pavarësisht faktit që në Serbi është hapur një procedurë penale kundër Radoiçiqit, ai nuk është i disponueshëm për drejtësinë në Kosovë.

Ai vlerësoi se për ta gjykuar Radoiçiqin realisht, nevojiten ndryshime politike.

“Për të përfunduar gjykimin e një njeriu si Radoiçiqi duhen ndryshime politike. Ky është një proces i madh. Do të gjykohet, por kjo kërkon kohë. Dhe në fund do të paguhet fatura”, u shpreh ai, duke shtuar se administrata amerikane është e vendosur për të çuar këtë proces deri në fund, njësoj si me hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ndërsa fliste për ngjarjen në Banjskë, Janjiqi e cilësoi atë si akt të qartë terrorist, të organizuar në mënyrë të plotë, me përfshirje të strukturave shtetërore dhe ndihmë të jashtme.

“Ky sulm ishte i organizuar me përfshirje të fortë nga jashtë, edhe nga Rusia. Është e qartë që këta djem u trajnuan në kampet e ushtrisë. Ata kanë statusin e shërbyesve vullnetarë të shërbimit ushtarak, gjë që e komplikon të gjithë çështjen, sepse përfshin edhe shtetin e Serbisë”, tha ai.

Scroll to Top