Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 qershor 2025
Sulmi në shkallë të gjerë ndaj Iranit mund të ndezë të gjithë rajonin. Eshtë e paqartë nëse do të mund të vazhdojnë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit bisedimet për programin bërthamor iranian.
Ta quash Lindjen e Mesme si fuçi baruti, duket se është pak. Pikërisht në këtë rajon Izraeli nën kryeministrin Benjamin Netanjahu hodhi tani një shkëndijë shpërthyese. Me sulmin në shkallë të gjerë ndaj 100 objektivave nëIran, të justifikuar si “goditje parandaluese” kundër zhvillimit të mundshëm të armës bërthamore iraniane. Sulmet e Izraelit, edhe ndaj zonave të banuara në Teheran, sipas kryeministrit Netanjahu do të vazhdojne edhe për disa ditë. Presidenti i SHBA-së Donald Trump i pati kërkuar qeverisë së Izraelit që të mos i pengojë bisedimet me ndonjë sulm. E pikërisht përpara se raketat izraelite të godisnin Teheranin, Trump postoi njoftimin, se ka shpresë për vazhdimin e bisedimeve. Që Netanjahu nuk i konsideron bisedimet për programin bërthamor, për këtë flet edhe vrasja gjatë sulmeve e Ali Shamchani. Shamchani ishte angazhuar prej udhëheqësit fetar Ali Chamenei si drejtues i komitetit për bisedimet më SHBA-në mbi programin bërthamor.
Ndër çështjet e hapura është nëse Irani në goditjet e hakmarrjes do të shënjestrojë edhe objektiva të SHBA-së. SHBA konsiderohet mbështetësja më e rëndësishme ushtarake e Izraelit, që i mundëson të tilla sulme në shkallë të gjerë. Teherani vazhdimisht ka kërcënuar në të shkuarën me sulme hakmarrjeje ndaj bazave të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Si rrjedhojë SHBA që përpara disa ditësh nisi me evakuimin e personelit dhe pjestarëve të familjeve të trupave të SHBA-së, që nuk janë të domosdoshëm në këto baza. Objektiva të mundshme ka shumë: Mes Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe SHBA-ja ka tetë baza të përhershme dhe disa baza mobile ushtarake, në të cilat janë të dislokuara rreth 50.000 ushtarë.
Vështirë të parashikohen pasojat
Pasojat në rajon dhe më tej janë të paparashikueshme. Disa zhvillime megjithatë po konturohen qysh tani: Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja të nisura në Oman për programin bërthamor iranian u anuluan nga pala iraniane. Sulmi i Izraelit pasoi dy ditë përpara raundit të ardhshëm të bisedimeve.