Izraeli rinovon paralajmërimin për evakuim në pjesë të Qytetit të Gazës dhe veri, mes luftës së vazhdueshme

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

15 korrik 2025

– Në një deklaratë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, i paralajmëroi palestinezët për një evakuim në zonat në Qytetin e Gazës dhe zonën veriore të cilët ishin urdhëruar vazhdimisht të evakuoheshin gjatë gjithë qershorit.

Ushtria izraelite ka rinovuar sot paralajmërimin për evakuim “të menjëhershëm” për disa lagje në Qytetin e Gazës dhe në zonën veriore të enklavës, në kuadër të ofensivës së saj të vazhdueshme ushtarake, raporton Anadolu Agency.

Në një deklaratë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, u bëri thirrje palestinezëve që të largohen nga zonat që kanë qenë nën urdhrin për evakuim që prej muajit qershor.

Sipas ushtrisë izraelite, lagjet në Qytetin e Gazës që përfshihen në këtë paralajmërim janë: Zeitouni Lindor, Qyteti i Vjetër, Turkman, Al-Jadida, Al-Daraj, Al-Sabra dhe Al-Tuffah. Ndërsa në veri përfshihen qyteti Jabalia, kampi i Jabalias dhe Jabalia al-Nazla, si dhe lagjet Al-Rawdah, Al-Nahda, Al-Zuhur, Al-Noor, Al-Salam dhe Tal al-Zaatar.

Urdhri i fundit kërkon që banorët e këtyre zonave të zhvendosen në pjesën perëndimore të Al-Mawasit, një zonë që Izraeli e konsideron si “të sigurt humanitare”. Megjithatë, kjo zonë ka qenë më herët objekt i sulmeve ajrore, përfshirë bombardime që kanë goditur tendat e personave të zhvendosur, duke shkaktuar qindra viktima dhe të plagosur.

Ushtria izraelite deklaroi gjithashtu se operacionet po përshkallëzohen me “forcë të shtuar” në këto zona, duke synuar “shkatërrimin e armikut dhe organizatave armiqësore”, me përleshje që po zgjerojnë drejt perëndimit dhe qendrës së Qytetit të Gazës.

Sipas raportit të fundit të Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare të OKB-së (OCHA), që nga 18 marsi janë lëshuar rreth 54 urdhra për zhvendosje, që prekin mbi 297 kilometra katrorë, ose rreth 81% të territorit të Rripit të Gazës.

Scroll to Top