Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
30 korrik 2025
Shai Parnes, drejtuesi i fushatave të ndërgjegjësimit të B’Tselem ka dhënë një intervistë për La Repubblica. B’Tselem, bashkë me Physicians for Human Rights po e akuzon Izraelin për gjenocid.
–Në çfarë provash e bazon këtë akuzë?
“Në ditët e para të sulmit në Gaza, shumë zyrtarë të lartë izraelitë bënë deklarata gjenocidale. Kryeministri iu referua Gazës si ‘Amalek’, një term biblik që do të thotë armik absolut. Bibla na komandon neve që të shfarosim Amalek, përfshirë gra, fëmijë deri edhe kafshët e tyre shtëpiake. Presidenti izraelit tha, duke iu referuar palestinezëve përgjegjës për sulmin e 7 tetorit: ‘Ky është një komb i tërë’. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit deklaroi se do të vendoste një bllokadë të plotë në Gaza, pa energji elektrike dhe ushqim. Pas 22 muajsh, deklaratat janë bërë realitet. Kur flasim për gjenocid, flasim për qëllimin e shkatërrimit të aftësisë së palestinezëve që të vazhdojnë të jetojnë si një grup, zhdukjen e qyteteve të tëra si Rafah, e sistemeve me rëndësi jetike si kujdesi sh
ëndetësor dhe infrastruktura. Izraeli po e vdes urie Gazën, përfshirë fëmijët, nuk ka rëndësi se kush je, mjafton t’i përkasësh atij grupi. Ky është përcaktimi i gjenocidit.”
-Ata që kundërshtojnë akuzat thonë se 60 mijë vdekje nuk quhen si gjenocid.
“Gjenocidi nuk është numri i të vrarëve, 60 mijë dhe kjo është shifër e vogël, por shkatërrimi i gjithë strukturave sociale që mundësojnë jetën në Gaza. Izraeli po shkatërron të ardhmen duke zhdukur nga faqja e dheut sistemin arsimor, universitetet, shkollat.”
-Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka dhënë ende një vendim.
“Sistemi i drejtësisë funksionon ngadalë, ne s’mund të presim me vite për një vendim. Duhet ta ndalojmë tani të gjithë këtë.”
-Qeveria izraelite kundërshton qëllimin që ti e akuzon, duke dhënë si provë shpërndarjen e ndihmave në Gaza.
“Ato nuk o shpërndajnë ndihma, janë të bllokuara që prej marsit. Ata nuk lejojnë evakuimin dhe mjekimin e të plagosurve. Kanë bombarduar xhami, universitete, pse? Është ideja që nuk ka palestinezë të pafajshëm. Dhe e thonë me zë të lartë.”
-A është kjo ide e përhapur edhe në shoqërinë civile izraelite?
“Sipas sondazheve, pjesa më e madhe e izraelitëve janë indiferentë, në mos mbështetës. Një shoqëri gjenocide nuk e di se ç’po bën gjatë procesit. Media në Izrael nuk flet për Gazën. Po, sulmi i tmerrshëm, mizor dhe kriminal i Hamasit më 7 tetor shkaktoi frikë te shumë izraelitë, kjo është e vërtetë. Por ka faktorë të tjerë që shpjegojnë si arritëm në këtë pikë. Struktura jonë e vërtetë politike është aparteidi, ndarja, supremacia hebreje dhe pandëshkueshmëri e plotë për këdo që lëndon palestinezët. Qeveria e tanishme është më e djathta, radikalja, mesianike dhe e dhunshme që ka pasur ndonjëherë Izraeli.”
-Megjithatë ka shumë izraelitë që protestojnë, marshojnë, flasin me zë të lartë, a po ndryshon diçka?
“I admiroj shumë ata që flasin, që shkojnë për të mbrojtur palestinezët, por janë pakicë. Vetëm komuniteti ndërkombëtar mund ta ndalë qeverinë izraelite dhe deri më tani, ka dështuar. Bëjini thirrje liderëve tuaj që të veprojnë.”
-Çfarë ndien kur akuzon atdheun tënd për gjenocid?
“Ka një shprehje: Atdheu yt është vendi nga i cili të vjen turp. Nuk jam krenar për reputacionin e vendit tim. Por shoqëritë mund të ndryshojnë, e kanë bërë përgjatë historisë. Ka njerëz këtu, palestinezë dhe hebrenj, që edhe në kohëra të tmerrshme, punojnë që çdo qenie njerëzore, nga lumi në det, të ketë të njëjtat të drejta për lirinë dhe një jetë me dinjitet. Jam krenar për ta.”

















