Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 korrik 2025
Nuk ka të ndalur tragjedia në Rripin e Gazës. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, afro 14 palestinezë kanë mbetur të vdekur si pasojë e një valë të re bastisjesh në Rripin e Gazës.
Zonat e prekura ishin Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit, ndërsa zona Jabalia në veri ishte gjitjhashtu në shënjestër.
Sakaq, të tjera zhvillime kanë ndodhur në Siri në kufirin me Izraelin. Një autokolonë me automjete ushtarake izraelite u pa duke hyrë në anën siriane të kufirit Izrael-Siri pranë qytetit Druze në Lartësitë e Golanit, pas sulmeve të fuqishme ajrore në Damask një ditë më parë.
Autokolona prej pesë automjetesh, që përfshinte katër Humvee – disa që tërhiqnin së bashku vagona pajisjesh – dhe një automjet transporti me trupa në bord, eci përgjatë një rruge pranë gardhit kufitar përpara se të hapej një portë për t’i lejuar ata të hynin në anën siriane.
Të mërkurën (16 korrik), qindra Druzë u panë duke kaluar kufirin në Lartësitë e Golanit, pavarësisht përpjekjeve të ushtrisë izraelite për të ndaluar rrjedhën e personave që shkonin në këmbë dhe me makina drejt Sirisë.
Ndërkohë, në Damask, sulme të fuqishme ajrore tronditën qytetin të mërkurën, duke synuar ministrinë e mbrojtjes, ndërsa Izraeli u zotua të shkatërronte forcat qeveritare siriane që sulmonin komunitetet Druze në Sirinë jugore dhe kërkoi që ato të tërhiqeshin.
Të pikëlluar nga dhuna në Sweida të Sirisë jugore, disa anëtarë të komunitetit druz bënë thirrje për mbrojtjen e familjeve të tyre në vendin fqinj, ndërsa të tjerë shkelën kufirin dhe kaluan në Siri të mërkurën.