Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 janar 2026
Ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, ka deklaruar se Irani ndodhet në një nga momentet më të dobëta të historisë së tij, duke theksuar se protestat aktuale janë më të rëndësishmet në dekadat e fundit.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Petraeus ka thënë se, megjithëse protestat janë pa precedent për nga përmasat dhe represioni i ashpër i regjimit, ato nuk përbëjnë domosdoshmërisht një skenar të qartë për rrëzimin e pushtetit në Teheran.
“Ka pasur protesta edhe më parë, por këto janë më seriozet që mbaj mend. Nuk duket se ka një organizim të qartë prapa tyre, por represioni është i tmerrshëm dhe numri i viktimave mund të shkojë në qindra apo edhe mijëra”, ka deklaruar ai.
Sipas Petraeus, forca e protestave lidhet me dështimin e thellë ekonomik dhe institucional të shtetit iranian, me inflacion të lartë, papunësi dhe mungesë të shërbimeve bazë, pavarësisht pasurive të mëdha natyrore që vendi zotëron.
Ai ka theksuar se Irani ka pësuar një dobësim të ndjeshëm edhe në aspektin ushtarak dhe gjeopolitik, përfshirë humbjen e aleatëve dhe ndikimit rajonal. “Teherani është në një nga nivelet më të ulëta të historisë së tij”, ka thënë ai.
Duke komentuar mundësinë e një ndërhyrjeje amerikane, Petraeus ka theksuar se opsionet variojnë nga masa diplomatike dhe sanksione, deri te veprime ushtarake si bllokada detare apo goditje ndaj objekteve strategjike dhe forcave të sigurisë iraniane.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se një sulm i drejtpërdrejtë nuk garanton rrëzimin e regjimit.
“Po flasim për struktura masive sigurie dhe ushtarake që kanë interes të drejtpërdrejtë në mbijetesën e regjimit. Rrëzimi i tij do të ishte jashtëzakonisht i komplikuar”, ka shtuar Petraeus.
Në lidhje me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump se Teherani dëshiron të negociojë, Petraeus ka vlerësuar se këto sinjale janë një përpjekje për të fituar kohë. Ai ka paralajmëruar se mosveprimi pas vendosjes së “linjave të kuqe” nga SHBA-ja mund të ketë pasoja serioze për besueshmërinë dhe fuqinë frikësuese amerikane.
“Trump nuk mund të qëndrojë i heshtur”, ka përfunduar Petraeus.
















