Irani kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit pas sulmeve izraelite

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 qershor 2025

– Irani ka kërkuar takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) lidhur me sulmet e Izraelit.

Kuds (AA) – Irani i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme, pas sulmeve të fundit të kryera nga Izraeli ndaj objektivave iraniane, raporton agjencia Anadolu, duke cituar burime nga agjencia shtetërore iraniane IRNA.

Sipas raportit, përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB i ka dërguar një letër urgjente Këshillit të Sigurimit, ku dënon ashpër sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore në Iran dhe vrasjet e zyrtarëve ushtarakë iranianë.

Në letrën e tij, diplomati iranian ka kërkuar që KS-OKB të mblidhet sa më parë, me qëllim që Izraeli të mbahet përgjegjës për veprimet që Teherani i konsideron si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për paqen në rajon.

Nga ana tjetër, situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar më tej pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi mbrëmë se Izraeli ka ndërmarrë një sulm gjithëpërfshirës ndaj Iranit. Kabineti i sigurisë izraelite është mbledhur dy herë, njëherë mbrëmjen e kaluar dhe sërish në mëngjes, për të diskutuar zhvillimet dhe hapat e mëtejshëm.

Scroll to Top