Integrim pa anëtarësim të plotë? Cili është plani i BE-së për Shqipërinë

Mali i Zi dhe Shqipëria renditen si dy vendet kryesore kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke qenë në krye të listës së vendeve që pritet të afrohen më shpejt me BE-në.

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

Kjo perspektivë u cilësua si reale dhe e bazuar në zhvillimet aktuale, e jo si rezultat i ndonjë favorizimi politik nga Brukseli, gjatë një forumi të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw).

Megjithatë, pjesëmarrësit në forum theksuan se, pavarësisht pozicionit të favorshëm, ekzistojnë shqetësime serioze. Në rastin e Shqipërisë, u veçua përqendrimi i pushtetit, ndërsa për Malin e Zi u përmend rreziku i paqëndrueshmërisë politike, i ndikuar nga roli i presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Për këtë arsye, analistët e shohin si më të mundshëm një skenar të anëtarësimit të pjesshëm në BE brenda tre viteve të ardhshme.

Anëtarësimi i pjesshëm nënkupton integrimin e vendeve kandidate në hapësirën ekonomike dhe institucionale të Bashkimit Europian, pa përfshirje të plotë politike. Në këtë model, vendet do të përfitojnë nga tregu i përbashkët dhe politikat ekonomike të BE-së, por pa të drejtë vote në Këshillin Europian, pa komisioner europian dhe pa përfaqësim të plotë në Parlamentin Europian.

Sipas këtij skenari, Shqipëria dhe Mali i Zi do të integrohen ekonomikisht dhe rregullatorisht në BE brenda tre viteve, ndërsa anëtarësimi i plotë politik do të mbetet i pamundur për një periudhë më të gjatë kohore.

Ky model synon të adresojë paradoksin aktual të zgjerimit të BE-së, ku vendeve kandidate u kërkohet të zbatojnë një pjesë të madhe të legjislacionit europian, pa përfituar për vite me radhë nga avantazhet ekonomike të anëtarësimit.

Për Shqipërinë, anëtarësimi i pjesshëm do të sillte përfitime të drejtpërdrejta ekonomike, përfshirë akses të plotë në tregun e brendshëm të BE-së pa tarifa dhe barriera jo-tarifore, rritje të interesit të investitorëve të huaj dhe integrim më të thellë në zinxhirët europianë të prodhimit dhe shërbimeve.

Po ashtu, vendi do të mund të përfitonte fonde shumë më të mëdha sesa aktualisht, përmes aksesit në fondet strukturore, bujqësore dhe infrastrukturore të BE-së, të cilat aktualisht janë të rezervuara për shtetet anëtare.

Nga këndvështrimi i Bashkimit Europian, kjo qasje shihet si një instrument për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, forcimin e lidhjeve ekonomike me rajonin dhe reduktimin e ndikimit të aktorëve të tjerë gjeopolitikë, pa marrë vendime të menjëhershme për anëtarësim të plotë politik.

Ndërkohë, për vendet kandidate, anëtarësimi i pjesshëm shihet si një mënyrë për të shmangur një pritje edhe më të gjatë, në një kohë kur emigrimi i popullsisë dhe izolimi ekonomik mbeten sfida serioze.

Sa i përket lëvizjes së lirë, ky model do t’u ofronte qytetarëve të vendeve si Shqipëria më shumë mundësi për të punuar, studiuar dhe qëndruar në vendet e BE-së, por me kufizime të caktuara. Analistët e krahasojnë këtë model me atë të Norvegjisë apo Zvicrës në disa aspekte, por në një formë më të kufizuar.

Sipas analistëve të Vjenës, Ballkani Perëndimor ka pritur për një kohë të gjatë për integrimin europian, ndërsa përfitimet nga konvergjenca ekonomike kanë qenë të kufizuara. Ata theksojnë se politikat fiskale strikte në rajon kufizojnë hapësirat për zhvillim ekonomik.

Megjithatë, ndryshe nga Ukraina, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar performancë të mirë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe gëzojnë një perspektivë relativisht pozitive, falë stabilitetit makroekonomik. Sipas tyre, sfida kryesore mbetet mungesa e konkurrueshmërisë dhe nevoja urgjente për politika industriale më efektive.

Scroll to Top