I mbyllur në qeli, reagon Veliaj: Një i ‘panjohur’ e mori Xoxën që të shkonte sërish në SPAK, ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Shteti me…!

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

06 mars 2025

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia.

Reagimi i plote i Erion Veliajt

“Shteti me Uacap”

Mirëdita e veç mbarësi për secilin prej jush, sidomos ata që agjërojnë. Zoti ua pranoftë!

Por, meqë shejtani nuk merr pushim, detyrohem edhe unë të luftoj përditë me mexhelisin social, nga burgu ku jam kyçur pa gjyq, prej një letre anonime, një vetingu ilegal të 20 vjetëve jetë, pa asnjë akuzë formale dhe falë një prokurori lunatik e një gjykatësi politik.

Ju tregova 3 shtyllat patetike për burgosjen time: As kam ikur nga Shqipëria. As kam prishur prova. As përbëj rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Argumenti i fundit, por edhe më i dëshpëruari i Ols Dados është tekstualisht ky, shkruar nga dështaku violinist dora vetë (fq 277): “Sjellja e shtetasit Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe “kurajon” e shfaqur për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë personalitetin e këtij të fundit”.

Në fq 361 “copy&paste” këtë e rithotë edhe Erjoni tjetër, kasapi Bani, për të arsyetuar lënien time në burg pa akuzë zyrtare. Se që ta dini ju, copy&paste është e gjithë dosja: ça shkruan prokurori, e noterizon gjykatësi, pa marrë as mundimin ta perifrazojë dhe këta të dy i lidh edhe literalisht Partia Demokratike.

Po sa turp ama, për jurisprudencën!

Lejomëni ta zbërthej pak këtë arsyetim sigurimsash: Në datën 28 dhjetor udhëtoj për takim me Bankën Botërore në Uashington. Në nisje të avionit, më merr bashkëshortja, e shqetësuar se njëfarë Samet Gurguri, emër i panjohur me numër të panjohur, e kishte ftuar të kthehej edhe një herë në SPAK, ku kishte qenë më parë për 9h e 30 min deri në kufijtë e ezaurimit fizik e mendor, përballë fustanxhiut Ols Dado.

Në gjendje të rënduar psikologjike, nën mjekim dhe mes lotësh, e vetme me djalin, më thotë se është totalisht e panikosur, që ditë të shtunë, një ditë pushimi në vigjilje të Vitit të Ri, e gjendur edhe në mes të një sulmi histerik hienash të gjirizave politikë e mediatikë, i thuhet me një sms nga një i panjohur hajde sërish në SPAK!

Po unë? Besoj bëra atë që do të bënte çdo burrë, i rashë telefonit të numrit anonim për të kuptuar se cili nëpunës shteti komunikon me Ëhatsap të shtunën në sabah me një grua, nënë, në prag të Vitit të Ri? Numri nuk u përgjigj.

Teksa avioni bëhej gati për nisje, duke qenë se u bë e përsëritur, që sapo largohesha nga jashtë vendit, Olsi i sulej familjes sime, i shkruaj me sms këtij Sametit “është ditë e shtunë – sabat, shabat – edhe Perëndia pushoi të shtunën” dhe i kujtoj se është “turp kjo përndjekje e përsëritur e sime shoqeje sapo unë largohem nga vendi, e i them thuaji Ols Dados boll e molestove gruan time”.

Scroll to Top