Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
17 shtator 2025
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën duhet të merret shumë seriozisht. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai e cilësoi këtë si pasojë të zhgënjimit të thellë të Uashingtonit ndaj veprimeve të Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, veçanërisht pas kritikave të saj ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Hovenier, pezullimi i Dialogut Strategjik nuk ishte rezultat i një incidenti të vetëm, por i një frustrimi të akumuluar ndër vite nga qasja e Kurtit ndaj çështjeve të ndjeshme. “Deklaratat që minuan pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese ishin pika që e mbushi kupën,” tha ai, duke theksuar se SHBA e konsideron këtë institucion thelbësor për funksionimin e demokracisë në Kosovë.
Ish-ambasadori shpjegoi se Dialogu Strategjik do t’i kishte mundësuar Kosovës përfitime konkrete në fusha si siguria, mbrojtja, energjia, ekonomia dhe teknologjia. Pezullimi, sipas tij, nuk do të thotë ndërprerje e marrëdhënieve, por është një mesazh i qartë se partneriteti me SHBA-në po has pengesa serioze.
“Kjo është një humbje reale e mundësive që do të ndihmonin në avancimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike,” theksoi ai.
Hovenier paralajmëroi se minimizimi i pezullimit është i rrezikshëm dhe i gabuar. Ai tha se qeveria në detyrë e Kurtit ka treguar mospërfillje ndaj këshillave të Uashingtonit, veçanërisht në çështjet që prekin komunitetet joshumicë.
“Nuk është gjithçka në rregull, dhe kjo nuk është një situatë normale. Ky është një sinjal alarmi,” u shpreh Hovenier.
Sipas Hovenier, të gjitha arritjet ndërkombëtare të Kosovës kanë ndodhur me përkrahjen e SHBA-së. Ai tha se në një klimë gjeopolitike të tensionuar, Kosova ka nevojë për partneritet të ngushtë me Uashingtonin përballë ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Hovenier tha se SHBA nuk kundërshton integrimin e institucioneve serbe në sistemin e Kosovës, por kërkon që kjo të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe përmes dialogut me ndërmjetësimin e BE-së.
“Veprimet e njëanshme si mbyllja e klinikave apo shërbimeve të tjera pa konsultim, janë shembuj të keqbërjes që dëmtojnë marrëdhënien,” tha ai.
“Ne bëjmë dallimin mes përkushtimit ndaj Kosovës dhe qeverive të përkohshme. Besimi duhet të ndërtohet dhe të ruhet,” përfundoi ai.
Në fund, Hovenier e bëri të qartë se SHBA mbetet partnere dhe mike e popullit të Kosovës. Megjithatë, ai theksoi se partneriteti nuk është i garantuar për çdo qeveri.

















