Hetimi zbulon tri zyra identike të Putinit: Kremlini ka mashtruar publikun për vendndodhjen e presidentit rus

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 nentor 2025

Njësia kërkimore ruse Systema ka zbuluar se Kremlini ka përdorur tri zyra pothuajse identike në pjesë të ndryshme të Rusisë për të fshehur vendndodhjen e vërtetë të Presidentit Vladimir Putin. Sipas hetimit, shumë takime që pretendoheshin se ishin mbajtur pranë Moskës, në fakt janë regjistruar në Soçi dhe Valdai, ku Putini ka kaluar gjithnjë e më shumë kohë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe përshkallëzimi i sulmeve me dronë.

Sekreti i tri zyrave u zbulua kur një transmetim televiziv i vitit 2020 tregoi detaje të vogla, si vendndodhja e dorezës së derës, që nxorrën në pah se regjistrimi nuk ishte bërë pranë Moskës, por më shumë se 1.500 kilometra më jug, në Soçi. Hetimi tregoi se ekzistojnë dy kopje të tjera të zyrës së Putinit – njëra në Soçi dhe tjetra në Valdai, një qytet buzë liqenit midis Moskës dhe Shën Petersburgut, ku presidenti shkon shpesh që nga pushtimi i Ukrainës.

Gazetarët e Systema zbuluan gjithashtu se Kremlini ka publikuar regjistrime të vjetra të takimeve të Putinit si të reja. Që nga gushti i këtij viti, janë publikuar të paktën shtatë video të tilla, të paraqitura si ngjarje të fundit. Hetimi përfshiu shqyrtimin e rreth 700 videove dhe fotove të publikuara nga Kremlini, si dhe analizën e lëvizjeve të stafit të sigurisë dhe gazetarëve që e shoqërojnë presidentin.

Një shembull i vitit 2020 tregon ndryshimin e vendndodhjes së dorezës në dy zyrat: në Novo-Ogaryovo ajo ndodhet më poshtë se nyja e paneleve të murit, ndërsa në Soçi doreza është pak më lart, duke konfirmuar përdorimin e një zyre alternative.

Hetimi hedh dritë mbi përpjekjet e Kremlinit për të kontrolluar imazhin publik të presidentit dhe për të maskuar lëvizjet e tij reale gjatë viteve të fundit.

Scroll to Top