Hetimi për Covid: Gjetjet e reja zbulojnë vendimet kritike të qeverisë britanike në fillim të pandemisë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

20 nentor 2025

Ishte ngjarja më e rëndë për Mbretërinë e Bashkuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërsa një virus i panjohur po përhapej me shpejtësi, vendi u mbyll, miliona njerëz u urdhëruan të qëndronin në shtëpi dhe qeveria shpenzoi miliarda paund për të mbuluar kostot sociale dhe ekonomike të krizës.

Të enjten, Hetimi për Covid pritet të publikojë raportin e tij të dytë, duke analizuar vendimet politike që përcaktuan menaxhimin e pandemisë: nga futja e izolimit, mbyllja e shkollave e bizneseve, deri te kufizimet e paprecedente sociale.

“A e udhëhoqi qeveria vendin siç duhet, apo dështoi?”, ishte pyetja që ngriti në vitin 2023 avokati kryesor i hetimit. Që prej asaj kohe, mbi 7,000 dokumente janë bërë publike, duke përfshirë mesazhe në WhatsApp, email-e, ditarë personalë dhe dosje të brendshme qeveritare.

BBC News ka përzgjedhur disa prej shënimeve dhe komunikimeve më domethënëse që tregojnë se si u morën vendimet kyçe në fillim të vitit 2020.


Shenjat e para të alarmit: Janar 2020

Më 2 janar 2020, një përditësim në platformën mjekësore ProMed paralajmëronte për një “pneumoni misterioze virale” në Kinë. Në njoftim theksohej se 27 persona, shumica tregtarë në Tregun e Detit Huanan, po trajtoheshin në spital.

Të nesërmen, zëvendësdrejtori kryesor mjekësor i Anglisë, Jonathan Van Tam, ia përcolli informacionin profesorit Peter Horby, kryetarit të grupit shkencor Nervtag. Pak javë më vonë, autoritetet mjekësore në Wuhan po përballeshin me një shpërthim të pakontrolluar.

Në Londër mbërriti një kabllogram nga zëvendësambasadorja britanike në Pekin, Christina Scott, e cila paralajmëronte se situata po i ngjante SARS-it të vitit 2003 dhe se besimi i publikut te reagimi qeveritar ishte minimal. Ndërkohë, virusi nisi të shfaqej në Tajlandë, Korenë e Jugut, Iran dhe më pas Itali.


Qeveria britanike nën presion: Shkurt–Mars 2020

Më 7 mars, kryeministri Boris Johnson shkëmbeu mesazhe në WhatsApp me ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Matt Hancock, përpara ndeshjes Angli–Uells. Ndërkohë, ngjarje të mëdha si festivalet sportive dhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve vazhduan pa kufizime, përfshirë udhëtimin e tifozëve spanjollë drejt Liverpulit.

Strategjia fillestare ishte përmbajtja e rasteve të hershme dhe më pas kalimi në “fazën e vonesës”, me masa të moderuara si vetizolimi për të frenuar presionin mbi sistemin shëndetësor.

Por virusi po përhapej shumë më shpejt se parashikimet.

Scroll to Top