Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 korrik 2025
Hapet zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka qenë në një vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me homologun e tij maqedonas, Timço Mucunski dhe sëbashku morën pjesë në ceremoninë e përurimit të konsullatës, që sipas tyre, synon t’i shërbejë më mirë qytetarëve shqiptarë në këtë zonë dhe të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në ceremoni morën pjesë dhe përfaqësues të autoriteteve vendore, trupit diplomatik dhe komunitetit shqiptar.
Minstri Hasani e cilësoi hapjen e konsullatës si një veprim konkret për të ofruar shërbime konsullore më të aksesueshme për qytetarët dhe për të lehtësuar procedurat në periudha me fluks të lartë, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
“Kjo zyrë është një mjet i drejtpërdrejtë për të qenë më pranë qytetarëve tanë dhe për të ndërtuar bashkëpunim praktik në fusha me interes të ndërsjellë,” u shpreh ai.
Ai shtoi se konsullata do të ndihmojë gjithashtu në forcimin e lidhjeve mes institucioneve dhe komuniteteve në të dy vendet, duke krijuar hapësira për bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe arsimor.
“Një moment i rëndësishëm për të qenë më pranë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve me hapa konkretë. Kjo prani e re diplomatike do të ofrojë mbështetje reale në terren dhe do të shërbejë si një urë për më shumë lidhje, bashkëpunim dhe komunikim të drejtpërdrejtë”, shkruan ministri Hasani pas takimit.
Ministrat Hasani dhe Mucunski zhvilluan gjithashtu një takim dypalësh ku diskutuan mbi bashkëpunimin rajonal, procesin e integrimit në BE dhe zhvillimet aktuale në Europën Juglindore dhe ku riafirmuan angazhimin e tyre për të çuar përpara marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë pragmatike dhe të qëndrueshme.
Konsullata e re do të mbulojë zonat e Strugës, Ohrit, Manastirit, Kërçovës, Dibrës, Gjevgjelisë dhe Resnjës.