Hamasi i pranon disa pjesë të planit të Trumpit për Gazën, por kërkon bisedime

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 tetor 2025

Hamasi njoftoi të premten vonë se do t’i pranojë disa pjesë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, duke përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së enklavës, por kërkon bisedime për shumë nga kushtet e tjera të marrëveshjes.

Në një kopje të deklaratës, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, Hamasi e dha përgjigjen e tij ndaj planit 20-pikësh të Trumpit, pasi presidenti amerikan i kishte dhënë grupit militant palestinez afat deri të dielën për ta pranuar marrëveshjen.

Trumpi nuk ka thënë nëse kushtet e planit mund të negociohen, siç kërkon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Një çështje e rëndësishme për të cilën Hamasi nuk u shpreh është nëse do ta pranonte kushtin për t’u çarmatosur.

Çarmatosja e grupit është kërkesë e Izraelit dhe SHBA-së, të cilën deri më sot Hamasi s’e ka pranuar.

Në deklaratë, Hamasi tha se i “vlerëson përpjekjet arabe, islame dhe ndërkombëtare, si dhe përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, për shkëmbimin e të burgosurve dhe për hyrjen e menjëhershme të ndihmave”.

Ai tha se po njofton “miratimin për lirimin e të gjithë të burgosurve të pushtimit – si të gjallë, ashtu edhe trupat e pajetë – sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump, me kushtet e nevojshme praktike për zbatimin e shkëmbimit”.

Por, Hamasi shtoi: “Në këtë kontekst, lëvizja shpreh gatishmërinë e saj që menjëherë, përmes ndërmjetësuesve, të hyjë në bisedime për t’i shtjelluar hollësitë.

Scroll to Top