Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 dhjetor 2025
Gripi sezonal është një infeksion akut viral që transmetohet drejtpërdrejt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes pikave të frymëmarrjes gjatë kollitjes ose teshtitjes. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës njofton se çdo grupmoshë mund të preket nga ky virus, i cili shfaqet çdo vit, zakonisht gjatë periudhës tetor-dhjetor.
Simptomat kryesore të gripit sezonal përfshijnë:
- Temperaturë e lartë
- Lodhje të madhe
- Rrjedhje të hundëve
- Dhimbje fyti
- Kollë
- Barkqitje dhe të vjella
- Dhimbje koke, barku dhe muskujsh
Simptomat që kërkojnë kujdes të menjëhershëm
Tek fëmijët:
- Temperaturë mbi 39°C
- Frymëmarrje e shpejtë ose e vështirë
- Ndryshim ngjyrash të lëkurës
- Konsum i pamjaftueshëm i lëngjeve
- Ethe me skuqje
- Shtrëngim në qafë
Tek të rriturit:
- Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim
- Dhimbje ose presion në gjoks ose bark
- Marramendje të papritur
- Konfuzion mendor
- Të vjella të vazhdueshme
Si të veproni në rast të infektimit:
- Qëndroni në shtëpi dhe pushoni.
- Pini shumë lëngje.
- Mbani gojën dhe hundën të mbuluar me faculetë kur kolliteni apo teshtini.
- Lani duart shpesh me ujë dhe sapun.
- Informoni familjarët dhe miqtë për sëmundjen për të shmangur përhapjen.
- Evitoni kontaktet me të tjerët dhe hapësirat publike të mbyllura.
Ndjekja e këtyre udhëzimeve ndihmon në mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të komunitetit.

















