Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
24 dhjetor 2025
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka refuzuar kërkesën e presidentit Donald Trump për të dislokuar trupa të Gardës Kombëtare në zonën e Çikagos, duke vendosur një ndalesë të përkohshme ndaj zgjerimit të përdorimit të ushtrisë për qëllime të brendshme në qytete të drejtuara nga demokratët.
Vendimi lë në fuqi urdhrin e një gjyqtari federal që bllokon dërgimin e qindra trupave, pas padive të paraqitura nga autoritetet e shtetit të Illinois-it dhe drejtues lokalë. Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte kërkuar që dislokimi të lejohej përkohësisht, deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, por kjo kërkesë u rrëzua.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme theksoi se qeveria federale nuk ka arritur të provojë një bazë ligjore që do t’i lejonte ushtrisë të zbatonte ligjet në Illinois, duke nënvizuar se marrja nën kontroll federal e Gardës Kombëtare nga presidenti mund të justifikohet vetëm në rrethana “të jashtëzakonshme”.
Tre gjyqtarë konservatorë – Samuel Alito, Clarence Thomas dhe Neil Gorsuch – dolën kundër këtij vendimi.
Shtëpia e Bardhë reagoi duke deklaruar se presidenti Trump mbetet i vendosur të zbatojë ligjet e emigracionit dhe të mbrojë personelin federal nga trazirat, duke theksuar se vendimi i gjykatës nuk e ndryshon këtë qëllim. Ndërkohë, guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, e përshëndeti vendimin si një frenim të abuzimit me pushtetin dhe një pengesë ndaj, siç u shpreh ai, prirjeve autoritare të administratës Trump.
Vendimi përbën një nga rastet e rralla kur Gjykata e Lartë, pavarësisht shumicës konservatore 6 me 3, vendos kundër administratës Trump, e cila që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë ka marrë shpesh mbështetje për zgjerimin e kompetencave presidenciale.
Garda Kombëtare, e cila zakonisht i përgjigjet guvernatorëve të shteteve, mund të federalizohet nga presidenti vetëm në rrethana të veçanta. Trump kishte urdhëruar dislokimin e saj në Çikago dhe Portland, pas veprimeve të ngjashme në Los Angeles, Memphis dhe Uashington DC.
Çështja ka thelluar përplasjet politike mbi protestat kundër politikave të emigracionit të Trump, ku administrata i ka përshkruar qytetet demokrate si të përfshira nga dhuna, ndërsa autoritetet lokale dhe gjykatat federale kanë vlerësuar se protestat kanë qenë kryesisht paqësore dhe të menaxhueshme nga policia lokale. Proceset ligjore pritet të vazhdojnë, ndërsa administrata kërkon ende mënyra për të zgjeruar rolin e ushtrisë në zbatimin e ligjit brenda SHBA-së.

















