Gjatë ditës së enjte, Specialja dhe hetuesit e EULEX-it kanë kryer disa aksione që çuan në arrestimin e tre personave të profilit të lartë në Kosovë.
Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu janë të arrestuarit e sotëm, ndërsa bastisje po kryhet në shtëpinë e Hajredin Kuçit.
Rastet lidhen me hetime që trajtojnë akuza për krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësim dëshmitarësh dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Isni Kilaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës dhe një figurë e njohur e UÇK-së, u arrestua në shtëpinë e tij në Malishevë.
Ky është arrestimi i dytë për Kilajn nga Gjykata Speciale, pas një arrestimi të mëparshëm më 2 nëntor 2023.
Ai ishte liruar më 15 maj 2024, me kushte të rrepta, bazuar në një vendim të Dhomave të Specializuara të Kosovës të datës 3 maj 2024.
Bashkim Smakaj – Ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)
Ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, u arrestua nga hetuesit e EULEX-it në mëngjesin e së enjtes.
Arrestimi u bë me urdhër të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, e cila e kishte bastisur shtëpinë e tij që në tetor të vitit të kaluar.
Dyshimet ndaj tij lidhen me krime kundër administrimit të drejtësisë, si frikësim i dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Gjatë bastisjeve të mëparshme, hetuesit kishin sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike, përfshirë telefona celularë, të cilat janë pjesë e provave në këtë rast.
Fadil Fazliu – Luftëtar i UÇK-së dhe vëllai i dy heronjve të kombit
Fadil Fazliu, një ish-luftëtar i UÇK-së dhe vëllai i dy heronjve të njohur të kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu, u arrestua para banesës së tij rreth orës 8:00 të mëngjesit.
Lajmi u bë i ditur nga djali i tij, Fahri Fazliu i ri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Sot, paradite rreth orës 8:00 të mëngjesit para banesës së tij kanë arrestuar babanë tim, Fadil Fazliun, luftëtarin e UÇK-së, vëllanë e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës është arrestuar dhe pritet të dërgohet për në Hagë. Ballëhapur, kokëlartë dhe gjithmonë krenar me të kaluarën tonë të lavdishme”, ka shkruar djali i tij.
Bastisje në shtëpinë e Hajredin Kuçit
Prokuroria e Specializuar e Hagës po realizon bastisje në shtëpinë e ish-ministrit Hajredin Kuçi.
Bastisja në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë ndërlidhet me aksionin e Prokurorisë së Specializuar të enjten.
Bastisja në shtëpinë e Kuçit ka nisur sot në mëngjes, kanë bërë të ditura burime të Paparacit.
Ai dyshohet për të njëjtat vepra penale sikurse ish-këshilltari tjetër i Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj, po ashtu i arrestuar mëngjesin e sotëm. Ata dyshohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Pas një karriere të gjatë politike në Kosovë, Hajredin Kuçi së fundmi ishte pjesëtar i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar operacionet që po i zhvillon në Kosovë, duke shtuar se procesi hetimor po përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e ZPS-së./Paparaci