Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pranoi kërkesën e kryeprokurorit të saj Karim Khan duke lëshuar urdhër-arrest kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Joav Gallant.Arsyeja janë krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për të cilat përgjegjës mund të jenë politikanët.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarresti edhe kundër udhëheqësit të organizatës terroriste radikal islamike Hamas Mohammad Diab Ibrahim Al-Masri në kontekstin e sulmeve terroriste ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Gjykata Ndërkombëtare Penale kryen hetime ekskluzivisht kundër individëve. Gjykata aktivizohet vetëm nëse një person dyshohet, se është përgjegjës për një nga katër krimet themelore në kohën kur kryen një funksion drejtues: gjenocid, krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit ose luftë agresioni.
Në të vërtetë GJNP që nga viti 2021, kryen hetime kundër disa përgjegjësve në Izrael për krime të mundshme të luftës. Sipas të dhënave të saj, Gjykata po zhvillon hetime me të njëjtën akuzë kundër luftëtarëve të Hamasit. Ka hetime të vazhdueshme edhe për dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.
Në të njëjtën kohë, duhet të merren parasysh edhe zhvillimet e fundit në luftë: ajo luftë filloi pasi militantët islamikë Hamas në Izrael vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen më shumë se 240 pengje më 7 tetor 2023 në Rripin e Gazës.
Hamasi klasifikohet nga shumë shtete perëndimore, ndër to vendet anëtare të BE-së dhe SHBA, si organizatë terroriste.
Udhëheqësi aktual i organizatës terrorite Hamas, Mohammad Diab Ibrahim Al-Masri (i quajtur edhe Mohammed Deif) konsiderohet si njëri prej organizatorëve të sulmit të pashembullt ndaj Izraelit. Fillimisht kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar urdhërarreste edhe kundër shefit të Hamasit Jahja Sinwar në Gazë dhe shefit të Hamasit në diasporë Ismail Hanija. Por ndërkohë që të dy janë vrarë, me gjasë nga aksionet izraelite.
Si pasojë e përgjigjes ushtarake të Izraelit ndaj sulmit deri më tani janë vrarë më shumë se 43,000 njerëz, sipas autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi në Rripin e Gazës. Ky informacion nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.