Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 janar 2026
Gjykata e Tiranës ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin preventiv të disa pasurive me vlerë rreth 50 milionë euro, ku të përfshirë ishin biznesmeni Elman Abule dhe influenceri Kristian Boçi.
Prokuroria kishte kërkuar këtë masë në tetor 2024, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurive gjatë hetimeve për dyshime për pastrim parash dhe përfshirje në aktivitete të dyshimta financiare. Megjithatë, gjyqtari Altin Abdiu, në vendimin e dhënë në shtator 2025, e cilësoi kërkesën e prokurorisë si të paplotë, joproporcionale dhe të pabazuar, duke theksuar mungesën e analizave të thelluara kontabël dhe provave konkrete.
Hetimet dyshojnë se pasuritë e Kristian Boçit dhe Elman Abules mund të jenë të lidhura me një skemë komplekse financiare, e ndërtuar përmes huave fiktive dhe qarkullimit të parave cash, që përfshin shtatë persona dhe 14 subjekte tregtare. Prokuroria dyshon se kompania mëmë “Fidalba”, e kontrolluar nga Abule, ka qenë qendra e këtij mekanizmi, duke i qarkulluar fondet ndërmjet shoqërive të kontrolluara dhe duke blerë pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente në rrugën e Kavajës në qershor 2023.
Avokatët mbrojtës të Abules, Boçit dhe të tjerëve mohojnë kategorikisht çdo akuzë, duke theksuar se pasuritë e klientëve të tyre janë të ligjshme dhe se pretendimet e prokurorisë nuk mbështeten në prova konkrete.
Prokuroria e Tiranës konfirmon se procedimi penal ndaj të dyshuarve vijon dhe hetimet janë ende aktive. Elman Abule, krahas këtij hetimi, akuzohet edhe nga Prokuroria e Posaçme për pastrim parash në të njëjtën dosje ku është përfshirë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

















