Gjermania voton për të rikthyer shërbimin ushtarak, vullnetar për 18-vjeçarët

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

05 dhjetor 2025

Parlamenti gjerman ka votuar për rikthimin e shërbimit ushtarak vullnetar, një hap që synon forcimin e mbrojtjes kombëtare pas pushtimit rus të Ukrainës. Ky ndryshim shënon një kthesë të rëndësishme në politikën e Berlinit ndaj ushtrisë dhe vjen si pjesë e iniciativës së Kancelarit Friedrich Merz për të rindërtuar ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë.

Sipas reformës, nga janari 2026 të gjithë 18-vjeçarët do të marrin një pyetësor për të deklaruar interesin e tyre për t’iu bashkuar Bundeswehr-it. Për burrat plotësimi do të jetë i detyrueshëm, ndërsa për gratë vullnetar.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga të rinjtë, të cilët kanë paralajmëruar protesta në rreth 90 qytete. “Nuk duam të kalojmë gjashtë muaj të mbyllur në kazerma duke mësuar të bindemi dhe të vrasim”, thuhet në deklaratën e organizatorëve. Në Hamburg pritet pjesëmarrja e mbi 1 500 protestuesve, ndërsa shkollat kanë paralajmëruar prindërit të mos largojnë fëmijët nga orët mësimore.

Reforma u miratua me 323 vota pro dhe 272 kundër, duke e bërë Gjermaninë vendin më të fundit evropian që rikthen një formë të shërbimit ushtarak. Shembull të ngjashëm ka dhënë Franca, e cila muajin e kaluar prezantoi një program 10-mujor trajnimi vullnetar për 18–19-vjeçarët.

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se ekzaminimet mjekësore universale do të jenë thelbësore për të garantuar gatishmërinë e vendit në rast krizash. Bundeswehr aktualisht ka 182 000 trupa, dhe synimi është rritja në 260 000 deri në fillim të viteve 2030, duke shtuar edhe 200 000 rezervistë.

Ndërsa shërbimi mbetet vullnetar, Bundestagu mund të shqyrtojë shërbimin e detyrueshëm nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose mungojnë vullnetarët. Dokumentet e rekrutimit do të shërbejnë si bazë në rast mobilizimi gjatë një konflikti të mundshëm.

Kjo nismë vjen pas viteve të reduktimit të forcave të armatosura pas Luftës së Ftohtë dhe heqjes së shërbimit të detyrueshëm në 2011 nën Angela Merkel. Por tensionet me Rusinë dhe presioni nga SHBA që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake kanë detyruar Berlinin të ndryshojë qasje.

Rikthimi i shërbimit ushtarak shoqërohet me stimuj financiarë: rreth 2 600 euro në muaj për rekrutët në Gjermani, krahasuar me të paktën 800 euro në Francë.

Në të njëjtën ditë, Bundestagu pritet të votojë një projektligj të diskutueshëm për reformën e pensioneve, një nga pikat kyçe të marrëveshjes së koalicionit mes konservatorëve të Merz dhe socialdemokratëve. Megjithëse kishte frikë për një rebelim brenda koalicionit, partia e majtë ekstreme njoftoi se do të abstenojë, duke i siguruar qeverisë votat e nevojshme dhe shmangur një krizë të mundshme politike.

Scroll to Top