Gjermania ndryshon rregullat; Kush do të punojë më pak, me leje të veçantë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 janar 2026

Fraksioni i biznesit në Partinë Kristiandemokrate të Gjermanisë (CDU), që përfaqëson ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka propozuar heqjen e të drejtës ligjore për punë me orar të pjesshëm. Sipas këtij grupi, çdo person që dëshiron të punojë më pak orë duhet të marrë një leje të veçantë.

Aktualisht, në Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Evropës, çdo punonjës ka të drejtë të punojë me orar të pjesshëm, një mundësi që përdoret shpesh nga gratë për të kujdesur për fëmijët ose të moshuarit.

Kryetarja e fraksionit, Gitta Connemann, argumenton se ekonomia përballet me mungesë të punonjësve të kualifikuar dhe se askush nuk duhet të ketë të drejtë ligjore për të punuar më pak orë për “arsye të stilit të jetesës”.

Ky propozim pritet të miratohet në konferencën e CDU-së në Stuttgart muajin e ardhshëm dhe pritet të bëhet politikë zyrtare e partisë.

Sipas propozimit, do të ketë përjashtime për ata që rrisin fëmijë, kujdesen për të moshuar ose ndjekin trajnime profesionale. Por për të tjerët, puna me orar të pjesshëm nuk do të jetë më e garantuar ligjërisht.

Propozimi ka hasur kundërshtime edhe brenda CDU-së. Dennis Radtke, kreu i krahut social të partisë, deklaroi se kufizimi i orarit të pjesshëm nuk është zgjidhja dhe se duhet përmirësuar kujdesi ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, në vend që t’u mohohet kjo e drejtë punonjësve.

Sindikata e metalurgjisë IG Metall vuri në dukje se problemi nuk është dëshira për të punuar, por kushtet e vështira për ata që nuk mund të punojnë me kohë të plotë.

Sipas Institutit Gjerman për Hulumtime mbi Punësimin, rreth 40% e punonjësve në Gjermani punonin me orar të pjesshëm në tremujorin e tretë të 2025, kryesisht në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale, ndërsa 76% e tyre ishin gra.

Ndërkaq, OECD vuri në dukje vitin e kaluar se gratë dhe të moshuarit nuk janë të integruar mjaftueshëm në tregun e punës në Gjermani.

Scroll to Top