Gjermania drejt rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm/Partitë arrijnë marrëveshje

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 nentor 2025

Lufta në Ukrainë ka ringjallur debatin për rikthimin e shërbimit ushtarak në Gjermani dhe tashmë duket se partitë kryesore kanë gjetur një kompromis. Sipas televizionit gjerman ARD, drejtuesit e grupeve parlamentare të CDU/CSU dhe SPD kanë arritur një marrëveshje bazë për mënyrën se si do të organizohet modeli i ri i rekrutimit në ushtrinë gjermane.

Takimi vendimtar u zhvillua në Berlin me pjesëmarrjen e ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD), si dhe përfaqësuesve të partive të mëdha parlamentare – Jens Spahn (CDU) dhe Matthias Miersch (SPD) – bashkë me ekspertë të mbrojtjes nga të dyja palët.

Detajet pritet të bëhen publike të enjten (13 nëntor), por sipas mediave gjermane, modeli i dakordësuar parashikon kontroll mjekësor të detyrueshëm çdo vit për të rinjtë e moshës ushtarake. Si hap i dytë, në rast se numri i vullnetarëve nuk është i mjaftueshëm, do të zbatohet një sistem llotarie për të përcaktuar se kush do t’i bashkohet Bundeswehr-it.

Ky propozim u shndërrua në kompromis pas javësh negociatash, pasi fillimisht Pistorius kishte propozuar një sistem krejtësisht vullnetar, ndërsa CDU/CSU kërkonte mekanizëm të detyrueshëm rekrutimi nëse mungonin vullnetarët. Sipas gazetës Bild, në draftin e ri, llotaria do të përdoret vetëm në rast nevoje, duke ruajtur parimin e përzgjedhjes së kufizuar dhe jo të përgjithshme për të gjitha grupmoshat.

Rikthimi i shërbimit ushtarak shihet si pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse në kuadër të planit të ri të NATO-s dhe përballë kërcënimit në rritje nga Rusia. Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, objektivi është rritja e trupës aktive të Bundeswehr-it nga 180.000 në rreth 260.000 efektivë, si dhe krijimi i një rezervë shtesë prej 200.000 trupash që do të plotësohet kryesisht përmes këtij modeli të ri të rekrutimit të detyrueshëm.

Nëse miratohet, ky do të jetë ndryshimi më i madh në sistemin e mbrojtjes gjermane që nga viti 2011, kur Berlini pezulloi shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

Scroll to Top