Gjermani: Rritje alarmante e incidenteve me dronë në hapësirën ajrore gjermane, rrezikohen fluturimet civile

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 dhjetor 2025

Dronët që fluturojnë pranë aeroporteve kryesore ose avionëve po krijojnë në Gjermani një rrezik në rritje për trafikun ajror, njoftoi Shërbimi Gjerman i Sigurisë Ajrore.

Autoritetet gjermane po sinjalizojnë rritje të ndjeshme të incidenteve të rrezikshme në hapësirën ajrore, ku dronët po ndërhyjnë gjithnjë e më shpesh në trajektoret e avionëve civilë. Sipas Shërbimit Gjerman të Sigurisë Ajrore (DFS), deri në fund të nëntorit janë regjistruar 208 raste të tilla – shumë më tepër krahasuar me 149 incidentet e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, duke tejkaluar madje edhe rekordin vjetor prej 161 rastesh të vitit 2024.

DFS evidenton vetëm situatat kur dronët afrohen rrezikshëm pranë avionëve ose aeroporteve. Në këto raste, aeroportet shpesh detyrohen të pezullojnë fluturimet. Shpeshherë autorët mbeten të panjohur, ndërsa krahas operatorëve amatorë, dyshimet po rriten edhe për përdorim të dronëve nga shërbime sekrete ose grupe terroriste.

Aeroportet më të prekura

Rreth 74% e incidenteve janë shënuar pranë aeroporteve të mëdha. Rritja më e madhe është regjistruar në aeroportin e Frankfurtit, ku gjatë 11 muajve të fundit janë evidentuar 45 ndërhyrje të rrezikshme – një rritje e ndjeshme krahasuar me 17 rastet e vitit të kaluar. Incidente të shumta janë raportuar edhe në Këln/Bon (14 raste), Hamburg (13) dhe Mynih (12). Ndërkohë, aeroporti kryesor i Berlinit ka shënuar vetëm tetë raste këtë vit, një ulje krahasuar me vitin e kaluar.

Ligji gjerman ndalon fluturimin e dronëve brenda një distance prej 1.5 kilometrash nga pistat e avionëve. Shkelja e këtij rregulli konsiderohet vepër penale dhe mund të dënohet me deri në 10 vite burg.

Scroll to Top