Gjermani: Numër rekord banorësh

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

09 korrik 2025

Gjermania nuk ka pasur kurrë më shumë banorë se tani – 83.6 milionë. Por rritja nuk ka ardhur nga lindjet, por nga emigrantët. Megjithatë numri i vdekjeve ende e tejkalon numrin e lindjeve.

Në fund të vitit 2024, popullsia e Gjermanisë arriti një nivel rekord prej rreth 83.6 milionë banorësh – më shumë se kurrë më parë, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, Destatis. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i banorëve është shtuar me 121,000 persona, që përbën një rritje prej 0.1 përqind. Megjithatë, kjo rritje është dukshëm më e ulët se në vitin 2023, kur u regjistrua një shtesë prej 338,000 personash ose 0.4 përqind.

Rikujtojmë se në vitin 2022, ishte publikuar një shifër më e lartë prej rreth 84 milionë banorësh, por regjistrimi i popullsisë i atij viti e korrigjoi këtë vlerësim në 82.7 milionë, duke treguar se shifra e mëparshme ishte mbivlerësuar. Llogaritjet e popullsisë bazohen në të dhëna zyrtare për lindjet dhe vdekjet, si dhe për bilancin migrator.

Vdekjet tejkalojnë lindjet

Sipas të dhënave të përkohshme, numri i vdekjeve në vitin 2024 ishte rreth 330,000 më i lartë se numri i lindjeve – një shifër e ngjashme me vitin e kaluar. Megjithatë, popullsia gjithsesi u rrit, falë migrimit të lartë. Bilanci neto i migrimit – dallimi midis personave që u vendosën në Gjermani dhe atyre që u larguan – ra nga 660,000 në vitin 2023 në 420,000 në vitin 2024.

Rritje në perëndim, rënie në lindje

Në landet perëndimore të Gjermanisë, popullsia u rrit me 0.2 përqind, ndërsa në lindje (përjashtuar Berlinin), u shënua një rënie prej 0.3 përqind. Bavaria përjetoi rritjen më të madhe absolute, me 73,000 banorë më shumë, ndërkohë që rritje të konsiderueshme u regjistruan edhe në Berlin dhe Hamburg (me 0.6 përqind secili). Ndërkohë, landët lindore si Tyringia (-15,000 ose -0.7%), Saksonia (-12,000 ose -0.3%) dhe Saksonia-Anhalt (-9,000 ose -0.4%) shënuan rëniet më të mëdha të popullsisë.

Popullsia po plaket

Struktura demografike e popullsisë tregon një drejtim të qartë drejt plakjes. Numri i personave të moshës 60 deri në 79 vjeç është rritur me 2.2 përqind, ndërsa ai i grupmoshës 40 deri në 59 vjeç ka rënë me 1.4 përqind. Ky ndryshim lidhet me kalimin e brezit të lindur në vitin 1964 në kategorinë e moshës së tretë. Edhe grupi i personave mbi 80 vjeç është rritur me 0.2 përqind. Aktualisht, rreth 30.5 përqind e popullsisë gjermane është mbi 60 vjeç.

Shtimi i popullsisë së huaj

Numri i banorëve me shtetësi të huaj u rrit me 2.3 përqind gjatë vitit 2024, duke arritur në 12.4 milionë, ndërkohë që numri i qytetarëve gjermanë ra me 0.2 përqind në 71.2 milionë. Si rezultat, pjesa e të huajve në totalin e popullsisë u rrit nga 14.5 në 14.8 përqind. Grupi më i madh i të huajve përbëhet nga shtetas turq (1.403 milionë), të ndjekur nga ukrainasit (1.085 milionë), sirianët (889,000), rumunët (771,000) dhe polakët (723,000). Më së shumti, të huajt janë të moshës 20-59 vjeç (19.7%), ndërsa vetëm 6.3% janë mbi 60 vjeç.

Scroll to Top