Gjekmarkaj: E vetmja akuzë që mund t’i bëhet Berishës sot, është se nuk e çoi Shqipërinë drejt përplasjes me hunjë e sfurqe

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

20 maj 2025

Agron Gjekmarkaj ka bërë një reflektim të gjatë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit dhe komenton edhe rolin e Sali Berishës.

Shkrimi i Gjekmarkajt

(Një reflektim  i shkurter mbi pasojat e zgjedhjeve, krizën e demokracisë dhe figurën e Sali Berishës)

1) Një “fitore” pa virtyte!

Në fjalimin e tij të “fitores”, Edi Rama nuk gjeti asnjë fjalë xhentile për qytetarët që votuan kundër tij. Asnjë reflektim institucional, asnjë garanci për bashkëjetesën demokratike ndaj gjysmes tjeter!

I vetmi shqetësim i tij ishte Opozita.

Sipas tij, shqiptarët ende nuk kanë opozitën që “duan”.

Por në të vërtetë, pas një procesi elektoral të shkallmuar, qeveria mori mandatet që dëshironte, ndërsa Shqipëria mbeti me një qeveri që nuk e votoi shumica.

2) Demokracia në koma, integrimi në hije! Individi nën trysni!

Demokracia shqiptare është sot në koma. Integrimi është bërë një togfjalësh pa përmbajtje

Partia Demokratike bëri gjithçka për të këputur nyjën gordiane që ka mbajtur peng fatin e vendit për më shumë se një dekadë. Individi struket nen trysni të çdo hallke administrative!

Sali Berisha, përtej çdo kufiri të moshës dhe kohës, solli energji transformuese. Përballoi padrejtësi të mëdha dhe të vogla, ribëri PD-në, bashkoi opozitën, fali, afroi , duroi emocione, naivitet dhe hapi krahet e zemren  për të gjithë.

3) A mund të akuzohet që nuk prish  paqen sociale?

Sot, e vetmja “akuzë” që mund t’i bëhet është se nuk e çoi Shqipërinë drejt përplasjes dhe kaosit, të mbronim voten me hunj e sfurqe!

Por kjo nuk ka qenë dhe nuk është filozofia e tij apo e PD-së.

Qëllimi ka qenë dhe mbetet Shqipëria madhështore — një vend i mirëqenies dhe integrimit, ku qytetarët votojnë të lirë, ku rrotacioni nuk varet nga vjedhja, por nga programi dhe zgjedhja e lirë.

4) Shqipëria e penguar

Projekti i Shqipërisë moderne, që nisi më 1992 me shtetin e së drejtës, anëtarësimin në Këshillin e Europës, Shqiperine e prones, biznesit e kapitalizmit, hyrjen në NATO, lëvizjen pa viza, infrastrukturën dhe gazifikimin përmes TAP-it, marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe partneritetin euro-atlantik, është sot i penguar.

Por këto arritje nuk janë të shkuara të thjeshta; janë baza e Shqipërisë që mund të ndërtohet përsëri.

5) Figura e Berishës si simbol qëndrese

Sali Berisha mbetet një figurë historike që i ka dhënë formë rrjedhës së historisë kombëtare, si prijesi i revolucionit demokratik , themelues i pluralizmit. Ai është simboli kryesor sot i qëndresës, i ringritjes dhe i vendosmërisë për ndryshim.

Demokratët nuk e vënë në diskutim rolin e tij, autoritetin jo e jo, shume prova e vertetojne këtë!

Rilindja nuk mundi Berishën — ajo mundi Shqipërinë dhe shpresën e saj perkohesisht! Berisha ka patur boll pushtet nuk kerkoi pushtet po hapesira lirie per të gjithë!

6) SPAK në shënjestër: fundi i iluzioneve për drejtësi

Qeveria kërcënoi hapur SPAK-un me “reformim”. Synimi është i qartë: të vihet nën kontroll çdo segment i mbetur i pavarësisë!

SPAK-u, për vite, goditi  kryesisht lidershipin opozitar , duke ndihmuar në krijimin e kushteve për farsën elektorale.

Tani, Leviatani i pushtetit kërcënon çdo nuancë që e bezdis . Iluzioni për drejtësi të pavarur mbaroi bashkë me fushatën.

Scroll to Top