Foto/Festimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës në konsullatën në Nju Jork

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 shkurt 2025

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, ka publikuar fotografi nga pritja në Nju Jork me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Reka në një postim në Facebook ka shkruar se në këtë ngjarje festive kanë marrë pjesë rreth 200 të ftuar, duke përfshirë 50 ambasadorë dhe diplomatë nga shtetet anëtare të OKB-së (përfshirë shtetet jonjohëse), zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe John Kelly, nga Misioni i Përhershëm i SHBA-së në OKB, i cili në fjalën e tij tha se është nder të festojmë së bashku Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Postimi i plotë i Rekës:

Nga pritja për korin diplomatik dhe bashkatdhetarët tanë, mbrëmë në Nju Jork, për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në manifestimin festiv të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork morën pjesë rreth 200 të ftuar; prej të cilëve 50 ishin ambasadorë dhe diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së (përfshirë shtetet jonjohëse), zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Në fjalën time fola për historinë e suksesshme të shtetndërtimit demokratik të Kosovës, pas luftës çlirimtare kundër kolonializmit, aparteidit dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Lavdi UÇK-së dhe Komandantit të Përgjithshëm Adem Jashari, mirënjohje e përjetshme SHBA-së dhe NATO-s.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar John Kelly, nga Misioni i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në OKB, i cili në fjalën e tij tha se është nder të festojmë së bashku Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutemi pranoni urimet tona më të ngrohta për Ditën e Pavarësisë. Lidhjet mes popujve tanë janë të forta. Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara dhe për të parë drejt një të ardhmeje të ndritur dhe lidhjeve më të ngushta mes vendeve tona.”

Scroll to Top