Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 shtator 2025
Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Slloveni, ku po merr pjesë në Edicionin e 20-të të Forumit Strategjik të Bled-it.
“Kur vjen puna te marrëdhënia jonë me sipërmarrësit, ka një problem në dy shtresa, së pari problemi i parjes së sipërmarrësve jo si përplotësues, dhe së dyti, ndryshe nga SHBA-të, në Europë nuk jemi mësuar që të kemi një shtet sipërmarrës. Ne kërkojmë më shumë para nga buxheti, më shumë para dhe kështu me radhë”, tha kryeministri në nisje të fjalës të tij.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, politika e jashtme e vendit tonë është harmonizuar plotësisht me atë të BE-së. Vuri theksin te problemi kryesor që sipas tij ka Europa sot.
“Mendoj që problemi kryesor që ka Europa është se çfarë drejtimi do të marrë, do të thellohet në rrugën e saj drejt Shteteve të Bashkuara apo do shpërbëhet në copa të ndryshme me secilin që do vendosë sateliti i kujt do të bëhet. Se nuk ka gjasa pastaj që të kesh histori të lavdishme, përveçse të bëhesh satelit. Europa është makineria më e jashtëzakonshme burokratike e administratës, por nga ana tjetër hartimi i tepruar i rregullores edhe para se diçka të nisë, ndryshe nga Amerika. Kjo e bën Europën më të vështirë për mjedis për biznes”, shtoi kryeministri.
“Duhet të jemi miq njëherë, para se të jemi aleatë strategjikë, kjo do të shmangë luftërat”, tha Rama.
Rama është pjesë e panelit ku do të jenë të pranishëm presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, komisionerja për zgjerimin Marta Kos, kryeministri slloven Robert Golob, ai kroat Andrej Plenković dhe ai malazez Milojko Spajić.
Një fjalim për të ardhmen ka planifikuar sot, 1 shtator, edhe shefja e diplomacisë europiane Kaja Kallas. Forumi Strategjik i Bled-it konsiderohet si ngjarje me rëndësi për marrëdhëniet rajonale.