Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 dhjetor 2025
Para fillimit të sezonit të ri të Formula 1, polemikat janë rikthyer për mënyrën se si disa skuadra shfrytëzojnë “zonat gri” të rregullores teknike. Burime të Motorsport Magazin raportojnë se Mercedes dhe Red Bull, e cila do të prodhojë për herë të parë motorin e saj në 2026, dyshohet se kanë përdorur një sistem të veçantë për të modifikuar raportin e kompresionit të motorëve.
Sistemi i dyshuar lejon që raporti të qëndrojë brenda kufijve të lejuar kur power unit-i është i fikur, por të rritet gjatë funksionimit në pistë, duke u dhënë skuadrave një avantazh të rëndësishëm. Kjo praktikë është denoncuar nga Ferrari, Audi dhe Honda, të cilat kanë kërkuar ndërhyrjen e FIA-s.
Sipas burimeve, informacioni mund të ketë rrjedhur nga një ish-punonjës i Mercedesit ose Red Bullit, i cili pas transferimit në një skuadër tjetër, ka identifikuar detajet e sistemit të dyshuar.
Aktualisht, FIA po heton nëse bëhet fjalë për shkelje të rregullores apo për një shfrytëzim të lejuar të “zonave gri”. Vendimi i federatës pritet me shumë interes, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në balancën e Botërorit të Formula 1 për vitin 2026.

















