Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 qershor 2025
“Ndërtimi i Tiranës, vizioni i guximshëm arkitektonik që po riformëson kryeqytetin e Shqipërisë”. Me këtë titull, revista prestigjioze “Forbes” i ka kushtuar një reportazh të gjatë ndryshimit të Tiranës gjatë dekadës së fundit.
Nxitja ka ardhur nga festivali “Bukë dhe Zemër”, që mblodhi në kryeqytetin shqiptar mbi 150 arkitektë nga e gjithë bota, të përzgjedhur personalisht nga kryeministri Edi Rama, në një mundësi për të riimagjinuar rrënjësisht Tiranën.Shkrimi nis me një vlerësim për kryeministrin Rama, që sipas “Forbes”, është një nga nxitësit kryesorë të transformimit të kryeqytetit.
“Ndërtesat e ulëta të qytetit të shekullit të 20-të, të epokës fashiste dhe sovjetike, po bëhen shpejt të zbehta nga një mori rrokaqiejsh eksperimentalë dhe në disa raste jashtëzakonisht të çuditshëm, të projektuar nga arkitektë ndërkombëtarë të profilit të lartë”, shkruan Forbes.Revista prestigjioze citon kryeministrin Rama se qëllimi nuk është ndërtimi i monumenteve prej guri, por i hapësirave me kuptim. Për këtë, Forbes shkruan se në dispozicion të arkitektëve ndërkombëtarë është vënë Bulevardi i Ri i Tiranës, ku ata mund të lënë të lirë imagjinatën e tyre.
Së shpejti, zemra e kryeqytetit do të jetë shtëpia e apartamenteve luksoze, hapësirave të zyrave të klasit të parë, dyqaneve të nivelit të lartë dhe markave globale të hoteleve.
Në reportazh përmenden disa prej ndërtimeve shumëkatëshe të viteve të fundit në Tiranë, të cilat për nga forma e tyre tërheqin menjëherë vëmendjen.