Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
07 tetor 2025
Gjykata e Apelit në Tiranë ka pezulluar sot të gjithë gjyqet që ishin planifikuar të mbaheshin, një ditë pas masakrës që tronditi vendin. Një i ri qëlloi me armë zjarri brenda sallës së gjyqit gjyqtarin Astrit Kalaja.
Flamuri që qëndron në fasadën e godinës së institucionit të drejtësisë, është ulur në gjysmështizë, në shenjë respekti për të kujtuar gjyqtarin e ndjerë, që humbi jetën në krye të detyrës.
Edhe Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka pezulluar proceset nga data 7 deri më 10 tetor.
Në Gjykatën e Shkodrës nuk ka një vendim institucional për ndërprerjen e seancave gjyqësore, por me vendim personal gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët kanë vendosur të mos zhvillojnë seanca gjyqësore.
I vetmi përjashtim janë masat e sigurisë.
Në Gjykatën e Lezhës janë ndërprerë të gjitha seancat gjyqësore. Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate, të cilët kanë vendosur që nga sot të zhvillohen vetëm seancat që lidhen me masat e sigurimit personal.

















