Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
20 nentor 2025
Mosveprimi i SPAK ka shtyrë FBI-në të dorëzojë prova të reja që lidhen me itineraret, pasagjerët dhe ngarkesat e avionit qeveritar të përdorur nga kryeministri Edi Rama, duke çelur një prej hetimeve më serioze të autoriteteve amerikane ndaj një zyrtari të lartë shqiptar.
Sipas burimeve të Pamfleti, marrëdhëniet e ftohta mes qeverisë shqiptare dhe institucioneve amerikane janë reflektuar në mungesën e takimeve, ftesave dhe komunikimeve të nivelit të lartë me kryeministrin gjatë muajve të fundit. Paralelisht me këtë distancim diplomatik, FBI ka vijuar të mbledhë të dhëna mbi fluturimet e avionit çarter që përdoret nga Rama gjatë shtatë viteve të fundit, veçanërisht udhëtime jashtë BE-së dhe në disa shtete të Unionit të lidhura me rrjete të interesit rus dhe kinez.
Më 14 qershor 2025, “Pamfleti” publikoi informacion nga burime pranë BKH-së, sipas të cilave FBI i kishte dërguar Altin Dumanit një rekomandim zyrtar për hetimin e fluturimeve të çarterit, të njohur si “Ismaili”, i shoqëruar me indicie paraprake. Për pesë muaj, sipas këtij raportimi, SPAK nuk mori asnjë hap konkret, duke bërë që FBI të dorëzojë drejtpërdrejt provat e para të mbledhura nga strukturat e inteligjencës amerikane dhe partnerët evropianë në kuadër të marrëveshjeve të përbashkëta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Hetimi amerikan, që po vijon paralelisht, ka kërkuar nga institucionet shqiptare – përfshirë Shërbimin Qeveritar, “Air Albania”, Albcontrol dhe Policinë e Shtetit – të dhëna zyrtare mbi destinacionet, arsyet e udhëtimeve, listat e pasagjerëve dhe dokumentacionin e bagazheve. Sipas raportimeve, kërkesat, të cilat datojnë nga 25 prilli 2025, kanë mbetur pa përgjigje.
Ndërkohë, FBI mësohet se ka siguruar informacion të detajuar për fluturime drejt një sërë shtetesh, përfshirë Turqinë, Serbinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin, Egjiptin, Arabinë Saudite, Bjellorusinë, Azerbajxhanin dhe vende të Ballkanit. Sipas të njëjtave burime, janë identifikuar pasagjerët, ngarkesat financiare e materiale dhe persona të biznesit shqiptar e të huaj që kanë përdorur çarterin.
Pretendohet se disa prej këtyre individëve kanë përfituar më pas leje ndërtimi, licenca investimi apo fonde publike, megjithëse asnjë prej këtyre pretendimeve nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Fakti që SPAK e ka mbajtur pezull dosjen për disa muaj dhe e ka kaluar për procedim pak para largimit të Altin Dumanit, sipas burimeve të cituara, e lë hetimin në duart e drejtuesit të ri të institucionit, i cili pritet të vendosë ritmin e mëtejshëm të procedurave./Pamfleti

















