Krerët e diplomacisë së Malit të Zi dhe Sllovenisë nënshkruan Programin për Bashkëpunim Zhvillimor ndërmjet qeverive të dy vendeve për periudhën 2024-2025, i cili është planifikuar që pala sllovene të mbështesë projekte me vlerë mbi dy milionë euro.
Mali i Zi është në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe ne duam që sa më shpejt të bëhet anëtar i plotë i BE-së, tha Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviç ka takuar sot në Podgoricë Tanja Fajon, e cila po qëndron në Mal të Zi me rastin e hapjes së Qendrës për Kapacitetet Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C). Në takim u vlerësua se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Sllovenisë janë tradicionalisht miqësore dhe përmbajtësore dhe se bashkëpunimi dypalësh po zhvillohet në një trajektore rritëse, njoftoi MPJ. Ibrahimoviç falënderoi Slloveninë për mbështetjen e vazhdueshme eksperte dhe politike për integrimin e Malit të Zi në BE. “Sllovenia është mikja jonë e sinqertë dhe një vend që i ka qëndruar pranë Malit të Zi që nga fillimi i procesit të integrimit. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e gjithanshme për reformat që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë sonë dhe qasjen ndaj anëtarësimit në BE. Qëllimi ynë është ambicioz, por realist. Jemi të përkushtuar që të arrijmë standardet dhe të plotësojmë të gjitha kushtet para nesh, për t’u bërë anëtare e BE-së deri në vitin 2028”.