Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
02 tetor 2025
Danimarka do të jetë nikoqire e samitit Komunitetit Politik Evropian të enjten.
Në këtë samit, Kosova po përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani e cila tashmë ka nisur takimet e para në Kopenhagë.
E para e shtetit të Kosovës është pritur me nderime të larta të mërkurën nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës.
Osmani përmes një postimi në Facebook, theksoi mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të takimit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
“Faleminderit Lartmadhërive të Tyre, Mbretit dhe Mbretëreshës së Danimarkës, për mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian”, shkroi e para e shtetit.
Në kuadër të samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës.
Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama po qëndron në Danimarkë në kuadër të punimeve të këtij takimi.
Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.
Udhëheqësit e BE-së janë takuar të mërkurën në kryeqendrën daneze nën presion për të forcuar mbrojtjen evropiane pas një serie ndërhyrjesh ruse në hapësirën ajrore të BE-së dhe disa ditë pasi dronët shënjestruan aeroportet daneze.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen u tha gazetarëve se “nga një perspektivë evropiane ka vetëm një vend… të gatshëm të na kërcënojë dhe ai është Rusia, dhe për këtë arsye na duhet një përgjigje shumë e fortë”.
Inkursionet janë bërë më akute për vendet në krahun lindor të BE-së, si Polonia dhe Estonia.
Një numër shtetesh anëtare kanë mbështetur tashmë planet për një “mur dronësh” shumështresor për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar shpejt dronët rusë.
“Ne takohemi në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në Ukrainë, ku kemi parë shkelje të hapësirës ajrore ruse dhe aktivitet të padëshiruar të dronëve në disa vende evropiane”, tha Frederiksen në një konferencë shtypi pasi bisedimet kishin përfunduar.
“Ata po na kërcënojnë dhe po na testojnë dhe nuk do të ndalen.”
Ajo tha se hapat e ardhshëm do të përfshijnë rritjen e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën, riarmatosjen e vendeve evropiane dhe forcimin e prodhimit të dronëve dhe teknologjisë anti-dronë.
“Ne duhet të ofrojmë masat më të forta parandaluese, në shkallë të gjerë dhe me shpejtësi”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Danimarka përforcoi sigurinë për samitin, duke ndaluar të gjitha fluturimet e dronëve civilë deri të premten dhe duke vendosur kufizime të rrepta në trafik në Kopenhagë.

















