Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
29 shtator 2025
Mbrojtja e Erjon Veliaj po bëhet gati të dorëzojë kërkesë në Kushtetuese, pas shkarkimit nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
Nga materiali jepen edhe detaje të padisë.
Sipas padisë, Veliaj kundërshton në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga detyra:
Ekspertë ligjorë argumentojnë se neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore nuk mund të përdoret si bazë e pavarur për shkarkimin e kryetarëve të bashkive, pasi çdo shkarkim duhet të bazohet ekskluzivisht në nenin 115 të Kushtetutës, i cili kërkon që të provohet një shkelje e rëndë e Kushtetutës apo ligjeve.
Sipas praktikës kushtetuese, neni 115 është një normë kufizuese që mbron mandatin e zgjedhur vendor nga ndërhyrjet arbitrare të pushtetit qendror. Çdo interpretim i nenit 62, siç thuhet, duhet të bëhet në përputhje me këtë nen kushtetues dhe jo si normë e veçuar që lejon krijimin e “shkaqeve të reja” për shkarkim.
Në qendër të debatit është rasti i mungesës tre-mujore të kryetarit të një bashkie për shkak të paraburgimit, që është trajtuar nga Këshilli i Ministrave si bazë për shkarkim. Por juristët theksojnë se paraburgimi është një gjendje objektive dhe jo një mungesë e vullnetshme, ndaj nuk mund të cilësohet “shkelje e rëndë”.
Për më tepër, në këto raste, vijimësia e funksionit është garantuar përmes emërimit të nënkryetarit, në përputhje me ligjin, duke shmangur çdo vakum institucional.
Nëse neni 62 përdoret në mënyrë të pavarur dhe jashtë kornizës së nenit 115, rrezikohet shndërrimi i Kushtetutës në një dokument formal pa forcë detyruese, duke zhveshur mandatin e zgjedhur nga mbrojtja kushtetuese dhe duke hapur rrugën për ndërhyrje politike në qeverisjen vendore.

















