Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
02 shkurt 2026
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Kjo ishte një nga kërkesat e shumta të paraqitura nga Veliaj për ndryshimin e masës, ndërsa një tjetër çështje është duke u shqyrtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në kërkesën e tij, Veliaj argumentonte se hetimet kanë përfunduar, nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo i largimit nga vendi, si dhe se këto rreziqe mund të garantoheshin përmes një garancie pasurore dhe njohjes së plotë me aktet e dosjes.
Hetimet ndaj kryebashkiakut nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë përfunduar më 10 shtator 2025, ndërsa arrestimi i tij është kryer më 10 shkurt 2025. Përpara gjykatës janë dërguar për gjykim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë dhe subjekte tregtare, të përfshirë në dosjen e njohur si “Veliaj”.
SPAK ka ngritur ndaj Erion Veliajt 13 akuza penale, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Sipas organit të akuzës, pjesa më e madhe e veprave lidhet me korrupsion pasiv në nëntë raste, ku disa kompani dyshohet se kanë ofruar përfitime të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, në të njëjtin kontekst hetimor me bashkëshortin e saj.

















