Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 maj 2025
Kontaktet e fundit mbi luftën Rusi-Ukrainë kanë hapur mundësi të reja, tha udhëheqësi turk, duke shtuar se ai beson se ky shans “nuk do të humbet”.
Turqia është bërë një vend që bota e sheh si një aktor thelbësor në fushën e diplomacisë së paqes, ndihmës humanitare, mbështetjes dhe ndërmjetësimit në arenën ndërkombëtare, deklaroi sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, sipas agjencisë Anadolu.
“Pak më parë zhvilluam një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Javën e kaluar, trajtuam këtë çështje edhe me presidentin amerikan Donald Trump, ku diskutuam mbi hapat që mund të ndërmarrim për të ndalur gjakderdhjen,” u shpreh Erdoğan pas mbledhjes së kabinetit në Ankara.
Ai shtoi: “Ne mbështesim vendosmërinë e mikut tim të dashur, Presidentit Trump, për të zgjidhur konfliktet përmes dialogut dhe diplomacisë. Falë Zotit, Turqia tashmë është shndërruar në një vend të rëndësishëm për ndihmë, ndërmjetësim dhe mbështetje në përpjekjet globale për paqe.”
Sa i përket përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, tashmë në vitin e saj të katërt, Erdoğan theksoi se Turqia është e gatshme të luajë rol ndërmjetësues si “i vetmi vend që gëzon besimin e të gjitha palëve.” Ai theksoi se vendi i tij është i gatshëm të presë bisedimet e paqes të enjten në Stamboll.
“Kontaktet tona të fundit për konfliktin Rusi-Ukrainë kanë krijuar mundësi të reja dhe besoj se ky shans nuk do të lëshohet pa u shfrytëzuar,” theksoi ai.
Lidhur me zhvillimet në Azinë Jugore, Erdoğan përshëndeti armëpushimin e fundit midis Pakistanit dhe Indisë, duke u bërë thirrje të dy palëve që të shmangin çdo lloj provokimi në të ardhmen.
Në lidhje me deklaratën e grupit terrorist PKK për shpërbërjen dhe çarmatimin e tij, presidenti turk e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare të Turqisë, stabilitetin rajonal dhe unitetin e qëndrueshëm të vendit.

















